Maqedoni
Universiteti "Nënë Tereza", shënohet 8-vjetori i themelimit
25.12.2024 13:58
Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup, me ceremoni solemne shënoi 8-vjetorin...

Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup, me ceremoni solemne shënoi 8-vjetorin e themelimit. Me këtë rast u prezantuan të arriturat e deritanishme, si dhe sfidat që presin këtë tempull arsimor në konsolidimin e mëtejmë.
Njëherit u theksua se gjatë vitit 2024 janë marrë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e synimeve, duke përfshirë përparimet akademike, infrastrukturore dhe ndërkombëtare. Aktualisht, UNT-ja numëron 8 fakultete.
Rritja e numrit të studentëve për çdo vit është dëshmi se UNT-ja po lëviz në drejtimin e duhur. Sfidë kryesore mbetet zhvillimi infrastrukturor, rritja e cilësisë së arsimit, promovimi i kërkimit shkencor, forcimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, digjitalizimi i procedurave burokratike, si për studentët ashtu edhe për stafin.
Ky institucion që mban emrin e një figure të ndritur të humanizmit është arritje kolektive, që simbolizon forcën e dijes dhe përçon një mesazh të fortë për idealet më të larta shoqërore, u tha me këtë rast.
“Siç thotë një fjalë e urtë, “Rruga e gjatë fillon me një hap” pikërisht Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup më 25.12.2015 kishte datën fatlum për themelim, e cila rrugë ishte e një hapi krucial për të gjithë qytetarët e vendit si Universiteti i vetëm publik në gjuhën amtare, tani më sot qëndrojmë ballë sfidave dhe kërkesave të tregut të punës falë stafit akademik dhe administrativ, të cilët ishin të paktë në numër, por tani më jemi bërë si një familje e madhe profesionistësh.”, - deklaroi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
“Në shoqërinë multikulturore si e jona, mundësia e arsimit në gjuhën amtare është thelbësore për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e barazisë. UNT-ja, jo vetëm që përmbush këtë nevojë, por gjithashtu ndërton ura të reja bashkëpunimi mes komuniteteve të ndryshme, duke kontribuar në dialogun ndërkulturor dhe në harmoni shoqërore. Suksesi i UNT-së është rezultat i përkushtimit të drejtuesve, stafit akademik dhe administratës, si dhe mbështetjes së institucioneve dhe partnerëve që e kanë përkrahur në rrugëtimin e tij.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Me këtë rast u ndanë mbi 200 diploma për studentët e diplomuar në vitin 2023.
FLORIJE KAMBERI
