Qeverisja gjashtëmujore, Sela: Qeveria mban peng ardhmërinë e vendit

25.12.2024 16:40

Opozita shqiptare ka kritikuar pushtetin...

Opozita shqiptare ka kritikuar pushtetin për qeverisjen gjashtëmujore. Kritikat janë fokusuar në ngecjen e procesit integrues të vendit, si dhe qasjes ndaj shqiptarëve në vend.

Zijadin Sela është shprehur se Qeveria po mban peng ardhmërinë e vendit duke u zhytur në borxhe.

Drejtësia dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit sipas tij do të jetë reale vetëm kur të jemi sa më afër BE-së.

“Refuzim ndaj komuniteteve të tëra etnike, deshqiptarizim i institucioneve, kthimi i ashtu siç ishte edhe programi i Qeverisë, i shtetit në duart të maqedonasve gjoja, por realisht në duart të oligarkisë maqedonase. Ky lloj qasjeje natyrisht që nuk shërben për të mirën e asnjë qytetari.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.

Filipçe: Ekzekutivi ka partizuar institucionet

Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar punën e ekzekutivit. Sipas tij, është bërë partizim i plotë i institucioneve, si dhe uzurpim i gjyqësisë. Filipçe madje ka thënë se tensionet ndëretnike janë vetëm shpërqendrim i opinionit nga problemet reale.

Nuk është lënë anash pa u përmendur edhe ekonomia. Filipçe i ka ftuar të gjithë aktorët politikë në krijimin e një platforme të përbashkët për të mirën e vendit.

“Pas gjashtë muajsh po ndjehet pasiguri e madhe ekonomike dhe ulje e standardit të qytetarëve. Qeveria e Mickoskit në vend se të kujdeset për qytetarët, udhëhiqet nga interesat e elitës ekonomike. Paralajmërimi i djeshëm se Qeveria planifikon të shpërbëjë Këshillin Gjyqësor, gjegjësisht të shkarkojë pesë anëtarë, është hap drejt kontrollit të plotë të gjyqësorit. LSDM-ja s’do ta lejojë këtë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Mickoski: Vazhdojmë punën me përkushtim

Kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur se Qeveria punon në të mirën e qytetarëve. 

“Vazhdojmë me dinamikë të re. Vazhdojmë të përmbushim atë që ua kemi premtuar qytetarëve, pasi që për këtë e kemi marrë besimin edhe në periudhën që vijon.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

VLEN-i kritikon qasjen e Selës

Ndërkaq nga koalicioni VLEN kanë kritikuar Frontin Evropian, gjegjësisht Zijadin Selën se është kontradiktor me veten kur flet për drejtësinë dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Press-in të cilin e kishte mbajtur Ziadini i dikurshëm më 12 prill 2022, ka qenë kështu: Ja si e ka kapur Gjyqësorin, partia e Ahmetit. Duke radhitur një varg njerëzish me emra e mbiemra që janë të instaluar akoma në gjyqësor, që burojnë nga selia e BDI-së. Dhe, sot i njëjti Ziadin me emër, del dhe pa fije turpi para qytetarëve mban press tjetër i rrethuar nga njerëzit e partisë non grata me idenë se si ta ç’kapim Gjyqësorin.”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.

Nga VLEN-i thonë se janë të përkushtuar që Gjyqësori të jetë i pavarur, pa ndikime nga politika. (Meral Ismaili, TVM2)