Rritja e çmimeve në markete, Durmishi: Po kryhen inspektime, do të ketë masa
Pas valës së rritjes së çmimeve...

Pas valës së rritjes së çmimeve për artikuj të caktuar nëpër markete, institucionet do të reagojnë.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi paralajmëroi dënime për tregtarët që kanë manipuluar me çmimet, ndërsa njoftoi se nëse tregtarët nuk tregojnë përgjegjësi më të madhe sociale dhe nuk ulin çmimet e produkteve bazë që nuk janë në shportën e Vitit të Ri, do të vendosin masa më të rrepta, si kufizimi i marzhave të fitimit dhe çmimeve.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren për një inspektim të jashtëzakonshëm dhe në bazë të të dhënave që do të marrim prej tyre do të varet se çfarë vendimi do të merret. Nëse tregtarët do të korrigjojnë veten, veprimi i shportës së Vitit të Ri do të mbetet. Nëse nuk respektojnë masën që kanë sjellë do të detyrohemi të marrim vendim për ngrirjen e çmimeve apo marzhave. Kjo varet më së shumti prej tyre.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Mickoski: Tregtarët ta rishikojnë sjelljen e tyre
Edhe kryeministri Mickoski paralajmëroi reagimin e Qeverisë. Sipas tij disa prej produkteve kanë shënuar rritje të çmimit deri në 25 për qind.
“Fakti që ata menduan se do të na mashtrojnë dhe do të luajnë me durimin e qytetarëve dhe të Qeverisë, mendoj se nuk është mirë dhe mendoj se duhet të rishikojnë sjelljen e tyre. Kjo nuk është sjellje e duhur para festave. Çmimet e produkteve të caktuara janë rritur deri në 25%. Është sjellje joetike dhe çnjerëzore. Nga sot do të ketë reagim nga institucionet dhe nëse vazhdojnë kështu, ai reagim do të jetë edhe më i fortë në periudhën në vijim.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Rritjen e çmimeve e konfirmon edhe statistika e fundit e shportës konsumatore të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, ku vlera e shportës minimale të konsumit për muajin dhjetor arriti në 62.861 denarë, e cila në krahasim me muajin nëntor është rritur për 840 denarë.
Ndryshe, masa e ashtuquajtur “shporta e Vitit të Ri” është në fuqi nga 15 dhjetori, ku rreth 1.000 produkte që janë pjesë e shportës shiten me çmime më të ulëta për rreth 10 për qind. (Ersan Pajaziti, TVM2)
