Opozita, kritike ndaj fjalimit të presidentes
Fjalimi i presidentes ishte më shumë një qasje teorike..

Fjalimi i presidentes ishte më shumë një qasje teorike dhe aspak pragmatike, vlerësuan nga Fronti Evropian. Kritikues të fjalimit të presidentes ishin edhe nga LSDM-ja dhe partia “E Majta”, të cilët deklaruan se ky fjalim më shumë i ngjante një fjalimi protokollar, pa porosi të qarta.
“Fjalimi ishte më tepër një qasje teorike, e aspak pragmatike. Kryetarja e shtetit, fatkeqësisht nuk dha shenja të liderizmit. Kryetarja e vendit nuk dha asnjë shpresë e as nuk la hapësirë për ndryshimet kushtetuese në vend dhe nuk dha asnjë shpresë se në një të ardhme të afërt do të mund ta luajë rolin e saj si lidere, për ta udhëzuar shtetin në rrugën për në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Ilmi Aziri.
“Fjalim, me të cilën nuk dha vizion për ardhmërinë e vendit tonë. Ne si grup parlamentar mund ta mbështesim në dy çështjet e para, në mbështetjen e Armatës dhe në luftën kundër diskriminimit. Prisja që të tregojë se Parlamenti është shndërruar në një mekanizëm i cili kalon 95 për qind të ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Ajo nuk preki shtetin e së drejtës, nuk preki problemet tjera në shoqëri. Sa i përket konsensusit shtetëror, ne jemi të gatshëm, por për t’u arritur ky unifikim duhet dialog, që ajo në praktikë nuk e bën.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
“Fjalimi i saj nuk ishte inspirues aspak, ishte një fjalim ordiner duke na dhënë floskula, prej asaj se çka kishte dëshirë opinioni të dëgjonte pas ndryshimit të Qeverisë. Ajo edhe njëherë tregoi se është tërësisht nën hijen e Qeverisë dhe është shndërruar në Ministër të Kulturës. Ajo nuk tregoi se si do të anëtarësohemi në BE dhe nuk tregoi liderizëm për sa i përket interesave të vendit tonë.”, - u shpreh deputeti i partisë “E Majta”, Amar Mecinoviq.
VMRO-ja, vlerësim pozitiv për fjalimin presidentes
Por, fjalimi i presidentes u vlerësua lart nga VMRO-DPMNE-ja.
“Ishte një fjalim gjithëpërfshirës, por preki edhe shumë tema të cilat preokupojnë shoqërinë tonë. Tregoi se ka një koordinim të mirë mes kryeministrit dhe presidentes për sa i përket rrugës sonë eurointegruese. Presidentja ka bërë mirë që i bëri thirrje opozitës që të arrihet në konsensus të përbashkët shtetëror, për sa i përket sfidave të cilat i kemi me Bullgarinë dhe me Brukselin zyrtar. Presidentja po ashtu dha edhe një ide shumë të qëllueshme se si mund të tejkalohet problemi me Bullgarinë përmes rrugës bilaterale.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshevski.
Ky ishte fjalimi i parë i presidentes në fundvit, pasi ajo në këtë post erdhi para gjashtë muajsh, pas fitores në zgjedhjet e fundit presidenciale. (Fitim Kryeziu, TVM2)
