MPJ-ja e Kosovës: Sveçlës i refuzohet vizita në Luginë
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë...

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka refuzuar kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për vizitë në Luginën e Preshevës.
Vizita e Sveçlës është refuzuar me arsyetimin se qëndrimet e ministrit të Brendshëm janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Kosovë dhe kundër paqes dhe stabilitetit.
Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se kërkesa u refuzua edhe përkundër faktit se janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare.
"Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Në kuadër të kësaj vizite, ministri z. Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSh), duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSh-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSh-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSh-së për këtë komunë. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës, si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit.", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Qeveria e Serbisë gjatë dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës në Luginën e Preshevës.
Përveç vizitave të ministrit Sveçla, është refuzuar edhe kërkesa për vizitë e ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, e paralajmëruar për 19 dhjetor 2024 apo e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e paralajmëruar për 27 shkurt 2024. (Gyltene Sinani, TVM2)
