PZAP, Lista Serbe të regjistrohet në zgjedhje

25.12.2024 18:34

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa...

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojë subjektin politik ‘Lista Serbe’ dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, - thuhet në vendimin e publikuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Mos certifikimi i Listës Serbe, Vuçiq bisedë telefonike me Lavrovin 

Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov të cilin e ka njoftuar për siç ka thënë ai, synimin e Kosovës për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

“E kam njoftuar ministrin Lavrov, si përfaqësues i një vendi anëtar të OKB-së, se Prishtina, duke shkelur të gjitha aktet e së drejtës publike ndërkombëtare, po përpiqet të ndalojë ‘Listën Serbe’ të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, - ka thënë Vuçiqi në llogarinë në Instagram.