Afganistan, 46 të vrarë nga sulmet ajrore pakistaneze
Sulmet ajrore pakistaneze...

Sulmet ajrore pakistaneze kanë lënë të vrarë 46 civilë në lindje të Afganistanit, ka bërë të ditur Qeveria në Kabul e udhëhequr nga talibanët, ndërkaq Islamabadi pretendoi se ka shënjestruar strehë të dyshuara militante në zonat kufitare.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë për mediat ndërkombëtare se në mesin e viktimave ka shumë gra dhe fëmijë.
Sulmet u kryen më 24 dhjetor në katër lokacione në qarkun Barmal të provincës Paktika.
Ende nuk ka një koment nga autoritetet pakistaneze për sulmet brenda Afganistanit. Megjithatë, ushtria pakistaneze tha se forcat e sigurisë kanë vrarë 13 kryengritës në një operacion të kryer gjatë natës në Vaziristanin Jugor, një qark i Pakistanit që gjendet në kufi me provincën Paktika.
Pakistani tha se militantët nga grupi islamist Tehrik-e Taliban Pakistan po fshihen përgjatë kufirit në Afganistan dhe Islamabadi vazhdimisht u ka kërkuar talibanëve afganë që të veprojnë kundër tyre.
Por, talibanët afganë thonë se militantët e TTP-së janë në Pakistan.
Sulmet e fundit ajrore pakistaneze vijnë disa ditë pasi militantët e TTP-së kryen një sulm në afërsi të kufirit veriperëndimor me Afganistanin, duke vrarë 16 zyrtarë të sigurisë dhe duke plagosur tetë të tjerë.
