Ekonomi

OEMVP, me vërejtje dhe hapa pozitive për këtë vit

26.12.2024 13:13

OEMVP-ja ka dalë me vërejtjet dhe hapat pozitive ekonomike për vitin 2024...

OEMVP-ja ka dalë me vërejtjet dhe hapat pozitive ekonomike për vitin 2024, si dhe me kërkesat dhe pritjet për vitin 2025. Si vërejtje kryesore kryetari i Odës Ekonomike, Mendy Qyra, e potencon mosrealizimin e investimeve kapitale, ekonominë gri, humbjet e ndërmarrjeve publike, të cilët tejkalojnë shifrën prej 100 milionë euro si dhe rritjen e ulët ekonomike prej 1.8 - 2.4%, e cila e radhit Maqedoninë si të fundit në rajon sa i përket zhvillimit ekonomik.
 
“Mosrealizimi në kohë i autostradës Shkup-Bllacë është një problem i veçantë, të cilën e kemi kërkuar. Viti 2024 karakterizohet po ashtu sikur vitet e kaluara me kapacitete të dobëta të institucioneve për të realizuar projektet kapitale, joefikasitet i administratës për dhënien e lejeve për ndërtim dhe sjelljen e planeve të detajuara urbanistike. Moskthimi i TVSh-së për të cilat disa kompani po ankohen, sigurisht që këtu ka ndikim edhe ndërrimi i strukturave qeveritare, por ka TVSh të pakthyer nga Qeveria e kaluar dhe për fat të keq nuk është kthyer.”, - deklaroi kryetari i OEMVP-së, Mendy Qyra.
 
Si hapa pozitiv për këtë vit nga Oda e vlerësojnë kredinë hungareze për kompanitë dhe komunat, si dhe fillimin e punimeve në korridorin 8 dhe 10D. Për vitin e ardhshëm ata kërkojnë rritjen e pagës minimale, rritje të buxhetit për investimet kapitale dhe alokim të investimeve në mënyrë të barabartë në të gjitha zonat zhvillimore teknologjike.
 
“Ulja e kontributeve të pagave nga 47.7% në 32% të pagës minimale për të rritur pagën minimale në 500 euro të cilët një kohë të gjatë e kërkojmë të rritet dhe besoj që vitin 2025 të gjejmë një gjuhë të përbashkët me Qeverinë. Revidimi dhe funksionalizimi i sistemit të ri për import të fuqisë punëtore nga jashtë ku Agjencia për Siguri Nacionale të japë mendim për të njëjtit. Rikualifikim të punonjësve në Administratën Publike, krijimi dhe implementimi i strategjisë për shkarkimin e së njëjtës duke i realokuar punonjësit në sektorin privat.”, - theksoi kryetari i OEMVP-së, Mendy Qyra. 
 
Nga OEMVP-ja vlerësojnë se si biznese solidarizohen me qytetarët duke krijuar shportën e vitit të ri në mënyrë vullnetare për të ndihmuar standardin e tyre, ndërsa kanë dalë kundër idesë për ngrirje të çmimeve nga ana e autoriteteve.
 
GAZMEND KURTISHI