Botë
Serbia nuk lejoi vizitën e Sveçlës në Luginë, edhe Kosova nuk lejon vizitën e Ristiqit në veri
26.12.2024 13:31
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ka refuzuar kërkesën për vizitë ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq...

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ka refuzuar kërkesën për vizitë ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq. Ky vendim i autoriteteve të Kosovës vjen pasi autoritetet serbe refuzuan kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe paraprakisht edhe të zyrtarëve të lartë të Kosovës.
“Ju njoftojmë që Republika e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Republikën e Kosovës të ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 dhjetor 2024. Ky vendim vjen pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht të vizitave që synohen të kryhen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, qëndrim ky që është ashpërsuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për Vizitat Zyrtare”, bëjnë të ditur nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
GYLTENE SINANI
