Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Gashi: Do të bëhen kur të ketë vullnet politik

26.12.2024 13:56

Ndryshimet kushtetuese që parashohin përfshirjen e bullgarëve do të ndodhin kur do të ketë vullnet dhe marrëveshje politike...

Ndryshimet kushtetuese që parashohin përfshirjen e bullgarëve do të ndodhin kur do të ketë vullnet dhe marrëveshje politike. Ky është qëndrimi i kryeparlamentarit, Afrim Gashi, sipas të cilit në këtë proces duhet të kemi parashikueshmëri, që nënkupton të mos ketë bllokadë të re të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 
 
“Procedura për ndryshimet kushtetuese është e paraparë edhe në Kushtetutë edhe me Rregullore, kështu që nuk përjashtohet ajo mundësi, por që një iniciativë për ndryshimet kushtetuese që të ketë efekt dihet se duhet të marrë 2/3 e votave të Parlamentit. Prandaj, ne si shumicë parlamentare mendojmë se momenti kur do të ketë vullnet politik të fillojë procedura dhe të mbarojë, duke qenë të bindur se do të kemi një shumicë absolute dhe të mos eksperimentojmë me numra, vetëm sa për sy e faqe të niset një procedurë dhe të mos ketë efekt.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Këshilli Gjyqësor, Gashi: Shqyrtohet mundësia e shkarkimit
 
Sa i përket paralajmërimeve të kryeministrit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur në Kuvend, Gashi tha se pas votimit të raportit negativ për punën e tyre nuk përjashtohet mundësia e fillimit të procedurës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Njëherit Gashi tha se do të ketë konsultime edhe me Gjykatën Kushtetuese, sa i përket kushtetutshmërisë së shkarkimit, që të mos bëhen gabime ligjore. 
 
“Fakti që ne miratuam një raport negativ për Këshillin Gjyqësor, ajo nënkupton se duhet të ketë ndryshime në atë Këshill dhe ne mendojmë se Kuvendi, ata anëtarë të Këshillit Gjyqësor që i zgjedh, duhet t’i shkarkojë dhe të emërojë të tjerë. Procedura është e përcaktuar me rregullore, d.m.th. si emërohen ashtu edhe shkarkohen dhe emërimi do të shkojë në procedurën e njëjtë  në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime në seancë plenare. Sa të krijohen kushtet, megjithatë është çështje e procedurave të propozimeve që do të japin deputetët kur të thirret seanca për Komisione dhe Emërime.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Pas festave të fundvitit, Gashi paralajmëroi shqyrtimin e pesë interpelancave të paralajmëruara për ministra dhe kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti. Megjithatë, sipas Gashit, interpelanca si instrument demokratik nuk ka efekt ekzekutiv dhe nuk ka pasoja juridike. Pavarësisht votimit, ajo do të mbetet kryetare e Komisionit.
 
FLORIJE KAMBERI