Maqedoni
Këshilli i komunës së Kërçovës miratoi buxhetin e vitit 2025
26.12.2024 14:14
Me shumicë votash, Këshilli Komunal i Kërçovës sot miratoi buxhetin e vitit 2025, i cili kap shumën prej 19 milionë e 175 mijë euro....

Me shumicë votash, Këshilli Komunal i Kërçovës sot miratoi buxhetin e vitit 2025, i cili kap shumën prej 19 milionë e 175 mijë euro. Sipas planifikimit, pjesa më e madhe e mjeteve do të harxhohen për dotacione në fushën e arsimit dhe projekte kapitale që do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Buxheti i komunës së Kërçovës për vitin që vjen është i arsyeshëm, sepse ai është i bazuar në kërkesat e qytetarëve dhe është hartuar në bashkëpunim me institucionet, subjektet ekonomike dhe shoqatat joqeveritare. Buxheti i vitit të ardhshëm kap shumën prej 19 milionë e 175 mijë euro, tha kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili shtoi se pjesa më e madhe e buxhetit apo 11 milionë e 309 mijë euro do të shfrytëzohet për dotacione në fushën e arsimit.
Kryetari Dehari bëri të ditur se buxheti i këtij viti do të plotësohet edhe me mjetet investuese të IPA fondeve evropiane, Bankës Botërore, dhe Bankës Evropiane për Zhvillim. Me mbështetjen e ambasadës suedeze, tha ai, do të ndërtohet impianti për menaxhimin e mbeturinave, si një projekt shumë i rëndësishëm ekologjik për komunën e Kërçovës.
SHABAN DALIPI
