Maqedoni

ITShKSh, promovohet libri “Lëvizja kaçake” i Lulzim Sadikut

26.12.2024 14:53

Promovohet libri Lëvizja kaçake në trevat lindore shqiptare 1918-1929” i autorit Lulzim Sadiku...

Në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve u promovua libri “Lëvizja kaçake në trevat lindore shqiptare 1918-1929” i autorit Lulzim Sadiku. Kjo periudhë, sipas drejtorit të ITShKSh-së, Skender Asani, është një ndër periudhat më të lavdishme të shqiptarëve, ndërsa njëkohësisht më pak e shkruar dhe diskutuar, ndaj çdo vepër që do të ndriçonte veprën e çetave kaçake është e mirëseardhur. 
 
“Lëvizja kaçake ishte një formë e rezistencës popullore që mori formë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, si përgjigje ndaj shtypjes brutale nga autoritetet shtetërore në trevat verilindore shqiptare. Grupet kaçake ishin të organizuara në grupe të vogla guerile që kryenin sulme ndaj forcave jugosllave dhe institucioneve shtetërore.”, - deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani. 
 
Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, u shpreh se ky libër mes tjerash është i rëndësishëm për informimin e gjeneratave të reja.
 
“Gjykoj se ne do të jemi ajo gjeneratë që mund ta trajtojmë si ai indi lidhës midis asaj çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka kaluar dhe midis atyre që kanë pasur fatin të jenë më jetëgjatë dhe dikush që ka lindur më herët dhe të mund t’i përcjellim ato fakte, ato dëshmi dhe ato njohuri të asaj periudhe.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu.
 
Për veprën e autorit folën në superlativë edhe recensentët. 
 
“Të na sjellë në kujtesë, por edhe të na rikujtojë amanetin e vëllezërve Dani të Zajazit, që të kenë parasysh e të mos i harrojmë këto sakrifica, por edhe katër shtylla mbi të cilat duhet dhe mund të qëndrojmë në rrugën e bashkimit kombëtar, siç janë gjuha, gjaku apo etnia, flamuri dhe historia.”, - theksoi recensuesi i librit, Zekirija Idrizi. 
 
“Ky libër është një dëshmi e përpjekjeve të pashembullta të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe mbrojtje të territoreve të tyre në kohën kur këto territore përballeshin me një sulm të egër dhe të vazhdueshëm nga pushtuesit tanë. Puna e z. Sadikut është e veçantë për disa arsye, para së gjithash ai ka sjellë në dritë një temë që shpesh është lënë në hije nga historiografia jonë.”, - u shpreh redaktori i librit, Lulzim Mehmedi.
 
Të pranishmit i përshëndeti edhe autori i këtij libri, Lulzim Sadiku, i cili falënderoi bashkëpunëtorët, duke thënë se kjo vepër për të paraqet një rëndësi të veçantë. 
 
ERSAN PAJAZITI