Maqedoni

Kasami: Kemi investuar mbi 3 milionë euro në infrastrukturë

26.12.2024 15:15

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se vitin që lamë pas komuna e Tetovës, ka investuar mbi 3 milionë euro në infrastrukturën rrugore...

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se vitin që lamë pas komuna e Tetovës, ka investuar mbi 3 milionë euro në infrastrukturën rrugore. Ndërsa janë prishur shumë kioska e garazhe që me vite ishin uzurpuar nga disa qytetarë. I pyetur se a është ulur apo jo borxhi i komunës dhe i ndërmarrjeve komunale nga 24 milionë euro, Kasami tha se do të ketë një press konferencë në janar dhe do t’i informojë qytetarët.
 
“Fokusi kryesor edhe këtë vit ka qenë investimi në infrastrukturën rrugore dhe në bazë të një raporti që ka përgatitur sektori janë realizuar disa projekte me vlerë  prej 3 milionë euro, në asfaltimin e rrugëve, riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja, bulevardeve, largimin e kioskave dhe garazheve që kanë qenë në hapësirat publike dhe me këtë janë liruar shume hapësira publike.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Ndërkohë, problem për qytetarët e Tetovës mbetet uji për pije, ku sipas Kasamit, humbja e ujit në rrjetin e vjetër është evidente. Kasami tha se po përgatitet një studim fisibiliteti dhe paralajmëroi vendosjen e orëmatësve të rinj, me qëllim që qytetarët të paguajnë aq sa harxhojnë, e jo ta keqpërdorim si deri më tani.
 
“Ne përgatisim një studim fizibiliteti për zgjedhjen e problemit të humbjes së ujit. Aty do të shohim se cilat do të jenë zgjedhjet që ofrohen, por ajo që dihet është se uji i pijshëm nuk mund të privatizohet, mund të ketë modalitet më orëmatësit, pasi në bazë të një studimi paraprak është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e ujit është e moskontrollit se sa harxhojnë qytetarët.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Këto komente Kasami i bëri gjatë një brifingu me gazetarët. Ndërsa tha se pritet që shumë shpejtë të përfundojë edhe PDU-ja për Tetovën, por edhe për qendrën turistike, Kodra e Diellit. Ndërsa tha se po punohet që edhe emrat  e rrugëve dhe shkollave të ndryshohen.
 
VISAR SADIKI