Maqedoni
Arratisja e Grubit, Toshkovski: Hetohet nëse ikja ishte organizuar
26.12.2024 15:35
Prokuroria Publike me hetim rrënjësor nëse arratisja e Grubid ka qenë ose jo e organizuar me policinë kufitare...

Prokuroria Publike me hetim rrënjësor nëse arratisja e ish-zëvendës kryeministrit, Artan Grubi, ka qenë ose jo e organizuar me policinë kufitare të vendkalimit kufitar Bllacë. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, pas interesit të treguar të deputetit të VMRO – DPMNE-së, Jovan Jaulevski, në seancën pyetje deputetësh, u shpreh se do të ndërmerren mënyra adekuate për ta përballur Grubin me drejtësinë.
“Po hulumtohet nëse është bërë gabim i paqëllimshëm ose me paramendim dhe i organizuar është shkaktuar e gjithë kjo. Janë siguruar celularë dhe dëshmi të tjera dhe Prokuroria Publike po koordinon një hetim rrënjësor në këtë pjesë. Shumë shpejt do të qartësohet edhe ky fakt në publik.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Ligji i gjuhëve, Bexheti: VMRO-ja a do të tërheq iniciativën në kushtetuese?
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, nga kryeministri kërkoi të thotë nëse partia e tij do të tërheqë iniciativën kundër Ligjit të gjuhëve, pasi sipas tij, ekzekutivi po shpien vendin drejt ujërave të trazuara.
“Nuk ka shqiptarë që pajtohet me abrogim të ndonjë presje e jo të ndonjë neni. Prandaj, pyetje e drejtpërdrejtë është se a do ta tërhiqni në interes të stabilitetit, progresit dhe të respektit ndaj komunitetit të dytë në këtë shtet, shqiptarë.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Mickoski: Pa sukses tendencat për polarizim
Kryeministri anashkaloi të përgjigjet, por siguroi se vendi është më se i sigurt.
“Unë ju kuptoj dhe them se edhe në të ardhmen do ta bëni këtë, do të polarizoni, do të veni në foltore tema monoetnike, të krijoni konflikt etnik duke krijuar tension me më të mëdhenjtë, koalicionin “Maqedonia Jote”. Por, besoni se nuk do të keni sukses!”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Misovski: VMRO/BDI, skenarë artificialë për destabilizim
LSDM-ja hapi dilemat për bashkëpunim midis VMRO – DPMNE-së dhe BDI-së për stisje të tensioneve për destabilizim për shtetit, por nuk mori përgjigje konkrete nga kryeministri.
“Gjithmonë kur do t’iu ndodh ndonjë situatë e pakëndshme, qoftë në pjesën e mospërputhjeve me partnerin e koalicionit VLEN, ose pamundësi për t’u përballur me probleme të caktuara, ju menjëherë paralajmëroni destabilizim dhe gjithsesi këtu “xhokeri” juaj është BDI-ja dhe sërish gishtin drejtoni kah BDI-ja.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Goran Misovski.
Balancuesi, Minçev: Ekspertët do të dalin me ligj përmbajtësor
Fronti Evropian ngriti edhe çështjen e balancuesit. Ministri i Administratës, Goran Minçev, duke mos dhënë data ekzakte, tha se ligji po përgatitet nga ekspertë.
“Do të jetë një zgjidhje ligjore afatgjate, e jo e tillë siç e keni bërë. Kur nuk ka ekzistuar balancuesi nga viti 2001 deri në vitin 2015-të ka përqindje më të lartë të punësimeve etnike në krahasim pas vendosjes së balancuesit nga viti 2025 e këndej.”, - deklaroi ministri i Administratës, Goran Minçev.
U fol edhe për përplasjet e pushtetit qendror dhe komunës së Haraçinës sa i takon hapjes së çerdhes. Nga Fronti Evropian kërkuan qasje ligjore ndaj ministrit Limani, por kryeministri mbivlerësoi punën e Limanit, ndërkaq penalisht do të përndiqen të inkriminuarit e ish-pushtetit.
MERAL ISMAILI
