Botë
Lindja e Mesme, viktima në Gazë, komplikohen negociatat
26.12.2024 16:00
Forcat izraelite kanë vazhduar të bombardojnë Gazën...

Forcat izraelite kanë vazhduar të bombardojnë Gazën. Një automjet mediatik i parkuar para një spitali u godit, duke vrarë pesë gazetarë. Tel Avivi konfirmoi incidentin, objektivi ishin terroristët e Xhihadit Islamik Palestinez. Numri i foshnjave të ngrira të vdekura po rritet për shkak të kushteve çnjerëzore në enklavë.
“I ftohti i madh në tenda çoi në një ulje të ndjeshme të temperaturës së trupit dhe vdekje. Kjo është një thirrje për pasojat e kësaj lufte të padrejtë dhe ndikimin e saj tek njerëzit e Gazës, veçanërisht tek foshnjat që nuk mund të tolerojnë temperaturat e ftohta.”, - deklaroi drejtori i Departamentit të Fëmijëve në Spitalin “Naser”, Ahmed al-Fara.
Hamasi dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për negociatat e armëpushimit. Militantët thonë se deklaratat e autoriteteve izraelite për kushte të reja për tërheqjen e trupave nga Gazë i ndërlikojnë gjërat, ndërsa Tel Avivi qorton Hamasin për refuzimin e dorëzimit të listës së pengjeve përpara armëpushimit. Bisedimet, megjithatë, vazhdojnë, thonë autoritetet në Egjipt.
"Ne do të sigurojmë që të ketë zona sigurie dhe pozicione komanduese në Gazë që do të garantojnë sigurinë e komuniteteve, duke punuar për të liruar pengjet dhe për të mposhtur Hamasin. Nuk do të ketë asnjë sundim prej tyre, nuk do të ketë prani të ushtrisë së tyre. Këtu do të shfaqet një realitet tjetër.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz.
Ndërsa forcat izraelite vazhduan të shkatërronin infrastrukturën e Hamasit, Huthit e Jemenit vazhduan sulmet e tyre. Kreu i Mosadit propozoi një goditje të drejtpërdrejtë ndaj Iranit për t'i ndaluar ata. Netanjahu nuk është dakord, por thotë se duhet nxënë mësimi përmes Lindjes së Mesme.
“Edhe Huthit do të mësojnë atë që ka mësuar Hamasi dhe Hezbollahu dhe regjimi i Asadit dhe të tjerët, dhe edhe nëse kërkon kohë, ky mësim do të mësohet në të gjithë Lindjen e Mesme.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Tensionet u rritën gjithashtu në Sirinë fqinje pasi kurdët në veri vazhduan një kundërofensivë kundër Ushtrisë Kombëtare Siriane të mbështetur nga Turqia, së cilës Ankaraja iu përgjigj se do të mbante qëndrimin e saj pa kompromis ndaj çdo sulmi kundër integritetit territorial të Sirisë. Moska sinjalizon mbështetje për shqetësimet e Turqisë, por gjithashtu thekson rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial, sovranitetit dhe unitetit të Sirisë.
“Ne e kuptojmë shqetësimin legjitim të udhëheqjes turke për sigurinë e kufirit me Sirinë. Këto interesa legjitime, siguria, duhet të sigurohen, por në një mënyrë që Siria të ruajë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e saj.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov.
Ndërkohë, të paktën 14 anëtarë të forcave të sigurisë së Qeverisë së re siriane dhe tre persona të armatosur janë vrarë në përleshjet në Tartus në një përpjekje për të arrestuar ish-oficerë të regjimit të lidhur me burgun famëkeq “Sednaja”.
BELINDA KOKA ADEMI
