Maqedoni

Rasti i “Lotarisë Shtetërore”, arrestohet pronari i një kompanie nga Kumanova

26.12.2024 18:02

Pas dorëzimit të kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare për Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin...

Pas dorëzimit të kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare për Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Prokuroria Themelore Publike - Shkup  ka iniciuar procedurë kundër dy personave fizikë dhe një personi juridik.
 
Sipas organit në fjalë, në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2024, i dyshuari i parë ka miratuar pagesën e faturave me përmbajtje të rreme për blerjen e televizorëve, printerëve, pajisjeve kompjuterike dhe komunikuese të përdorura për nevojat e ShA “Lotaria Shtetërore”.
 
Faturat janë lëshuar nga pronari dhe menaxheri i dytë i raportuar i personit të dyshuar juridik, ndonëse të dy sipas prokurorisë kanë qenë  në dijeni se një pjesë e pajisjeve në fatura nuk ishte dorëzuar në përputhje me dispozitat e kontratave të lidhura të prokurimit publik.
 
“Prokuroria Themelore Publike – Shkup, pas kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare, ka iniciuar procedurë kundër dy personave fizikë dhe një personi juridik. I pandehuri i parë, në cilësinë e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve - Drejtor i Përgjithshëm i ShA për organizimin e lojërave të fatit "Lotaria shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut", dyshohet për - Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, Kodit Penal. Për të dyshuarin e dytë, pronarin dhe personin juridik, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale të tejzgjatur - Keqpërdorim i procedurës për ftesë publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat në pajtim, me nenin 275v të Kodit Penal.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike - Shkup.
 
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit për procedurë paraprake nga Gjykata Themelore Penale - Shkup propozim për caktimin e masave të sigurimit ndaj pronarit të dyshuar të personit juridik - konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit dhe të tjera për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrimin për paraqitjen herë pas here në gjykatë.
 
Paraprakisht në  seancën e Kuvendit, për pyetje të deputetëve, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçovska, konfirmoi zgjerimin e rrjetit të kapjes së personave për keqpërdorime të buxhetit.
 
“Tash në këtë moment t’u tregoj se një është burgosur nga policia financiare dhe po përcillet në Prokurori. Ju pengon se dalëngadalë një nga një po jepni llogari. Edhe mua do të më pengonte po të isha në anën tuaj, por asnjëherë s’do të gjendesha në pozitë të tillë, sepse sillemi shumë me nikoqirllëk, në mënyrë që qytetarët të jenë rehat.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçovska. 
 
Në rastin e “Lotarisë Shtetërore” dy të dyshuarit kryesorë janë ish-zëvendëskryeministri, Artan Grubi, dhe ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami. Të dy ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë mbi 500 milionë denarë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU