Maqedoni
Fronti Evropian: Gashi të dorëhiqet pas deklaratës skandaloze
27.12.2024 14:44
Deputetët e Frontit Evropian kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj deklaratës së fundit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi...

Deputetët e Frontit Evropian kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj deklaratës së fundit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, sa i përket statusit të gjuhës shqipe në vend, ku Gashi shprehu qëndrimin e tij, se gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer, ndërsa gjuha maqedonase është gjuhë e vetme zyrtare. Duke e vlerësuar deklaratën si skandaloze, nga Fronti Evropian kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit Gashit, pasi siç thonë ai nuk po respekton Kushtetutën e vendit.
“Amendamenti i 5-të i Kushtetutës përcakton qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase. Ligji për përdorimin e gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike. Në praktikë gjuha shqipe është një komponent i pandashëm i strukturës institucionale, kulturore dhe shoqërore. Një realitet që nuk mund të fshihet nga asnjë akt servilizmi. Duke i mohuar këto të vërteta, Afrim Gashi jo vetëm që ka thyer popullin shqiptar, por ka degjelitimuar vetë postin që mban. Si kryetar i Kuvendit, detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, të ruajë harmoninë ndëretnike dhe të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve.”, - deklaroi Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.
VLEN: Deklarata e Gashit pasqyron realitetin
Por, nga koalicioni VLEN i dalin në mbrojtje kryeparlamentarit Gashi, duke theksuar se deklarata e tij pasqyron realitetin.
“Deklarata e kryetarit të Parlamentit e dhënë mbrëmë në Alsat pasqyron vetëm një realitet të vendit tonë, gjegjësisht se gjuha shqipe nuk është zyrtare. Po, është e vërtetë, ne kemi një ligj për përdorimin e gjuhëve që ka avancuar përdorimin e gjuhës shqipe, mirëpo gjuha shqipe nuk është zyrtare në vendin tonë, gjegjësisht organet tona në marrëdhënie me jashtë në komunikimet ndërkombëtare komunikojnë vetëm në një gjuhë.”, - theksoi Fatmir Sabriu nga VLEN.
Gashi: Shqipja ka statusin e gjuhës së përkthyer
Në një prononcim për AlsatM, krypearlamentari Gashi tha se: “Në bazë të ligjit të ri të përditësuar për gjuhën maqedonase, i cili u votua në fillim të vitit 2024 nga shumica e atëhershme parlamentare bashkë me partitë shqiptare në atë kohë. Por, edhe në bazë të Ligjit të gjuhëve të vitit 2018, gjuhë e vetme zyrtare me të cilën shteti komunikon dhe institucionet flasin mes vete është gjuha maqedonase. Ndërsa gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer.”, tha Gashi, duke shtuar se atij nuk i pëlqen kjo dhe se këtë e ka theksuar edhe gjatë miratimit të ligjit në vitin 2018, pasi ka vlerësuar se kjo nuk është zgjidhja e duhur ligjore për gjuhën shqipe.
REXHEP QAMILI
