Maqedoni
Polici që hodhi flamurin shpallet i pafajshëm, Toshkovski: Nuk është konstatuar shkelje
27.12.2024 15:22
Polici i cili gjatë festimeve të 28 nëntorit hoqi flamurin shqiptar nga shtiza nuk ka bërë asnjë shkelje...

Polici i cili gjatë festimeve të 28 nëntorit hoqi flamurin shqiptar nga shtiza nuk ka bërë asnjë shkelje, ka konstatuar Departamenti i kontrollit të brendshëm të MPB-së. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ndërsa ka thënë se është mbyllur procedura hetuese ndaj policit nga Kumanova.
“Një hetim është hapur nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të MPB-së. Në kuadër të veprimeve hetuese – nuk është konstatuar se personi ka bërë shkelje të një procedure në MPB. Me këtë mbyllet procedura për zyrtarin policor.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
BDI: Legalizim i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Këtë vendim BDI-ja e quan skandaloz, ndërsa thonë se pafajësia e policit huligan nga Kumanova është akt i turpshëm dhe një shenjë e qartë e legalizimit të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ky veprim tregon dështimin total të institucioneve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mbetet vetëm tek hakmarrja etnike apo tek ministri Pançe Toshkovski, por edhe tek përfaqësuesit shqiptarë brenda Qeverisë, të cilët me manipulimet e tyre të vazhdueshme dhe premtimet e rreme kanë tradhtuar interesat e shqiptarëve. Zëvendësministri dhe përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga VMRO-DPMNE-ja, që sot janë pjesë e kësaj qeverie, kanë treguar paaftësi totale për të përfaqësuar dhe mbrojtur komunitetin e tyre, duke u bërë garantues të padrejtësisë dhe diskriminimit.”, thonë në BDI, duke shtuar se heshtja e tyre përballë këtij akti dhe shumë veprimeve të tjera diskriminuese është një turp i madh dhe një tradhti ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve. Përndryshe, gjatë incidenteve më 28 nëntor policia pate arrestuar dhjetëra persona.
ERSAN PAJAZITI
