Ekonomi

“Shporta e Vitit të Ri”, qytetarët nuk vërejnë dallim

27.12.2024 15:34

Me fillimin e aksionit “Shporta e Vitit të Ri”, qytetarët nuk vërejnë ndonjë dallim të madh në uljen e çmimit...

Me fillimin e aksionit “Shporta e Vitit të Ri”, qytetarët nuk vërejnë ndonjë dallim të madh në uljen e çmimit të produkteve bazë. Sipas tyre, produktet që janë në shportën konsumatore kanë shënuar rënie, por nuk vërehet ndonjë dallim, sepse tregtarët kanë rritur çmimin e produkteve të tjera. 
 
“Nuk e kontrollova atë që bleva, mendoj se çmimet janë të njëjta. Nuk shoh ndryshime drastike, që të vërej zbritjen.”, - tha një qytetar.
 
“Nuk e di, nuk mund të them se ka zbritje të madhe. Te disa produkte kishte rritje, tani vetëm u kthyen në çmimin e mëparshëm.”, - tha një qytetare.
 
“Rezulton të jenë më shtrenjtë disa produkte të caktuara.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Nëse një produkt ka zbritje, tjetri ka rritje të çmimit. Njëjtë janë çmimet pasi çdo ditë bëj pazar.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Inspektorati i Tregut: Ekipet në terren për kontrolle
 
Nga Inspektorati i Tregut thonë se janë duke kryer kontrolle në të gjithë territorin e vendit, te furnizuesit, prodhuesit dhe tregtarët me pakicë. 
 
“Nga monitorimi i shitësve me pakicë – marketeve, është vërtetuar se çmimet e produkteve nga shporta e Krishtlindjeve (Vitit të Ri), janë ulur ndjeshëm, por këtu dua të potencoj, se prej mbrëmë janë shtuar rreth tridhjetë deri në dyzet produkte të reja, siç janë: qumështi dhe produktet e qumështit, mishi dhe produktet e mishit, vaji, vezët, orizi, me çka shënohet një rënie prej rreth dhjetë deri në njëzet për qind.”, - thanë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
 
Mickoski: Nëse vërehen shkelje, do të ndërmerren masa
 
Ndërkohë kryeministri,  Hristijan Mickoski, thotë se tregtarët për momentin e respektojnë vendimin e Qeverisë dhe nëse vërehen shkelje në terren do të ndërmerren masa konkrete.
 
“Pjesa më e madhe e tregtarëve i kthejnë çmimet në nivelin që ishte përpara rritjes dhe më këtë treguan se e respektojnë kërkesën dhe vendimin që e adresuam publikisht drejt tyre. Pres që periudhën pasuese kjo të vazhdojë edhe pse nga kontrollet e  rregullta dhe të vazhdueshme nga ana e Inspektoratit të Tregut, situata është nën vëzhgim. Nëse vërejmë që devijon sjellja e tregtarëve, do të ndërmerren masa konkrete. Përndryshe, masa e fundit që ka në dispozicion Qeveria është vendosja e sërishme e kufizimit të çmimeve, por për momentin nuk është e nevojshme, sepse respektohet kërkesa jonë nga ana e tregtarëve.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Nga kontrollet në terren janë konstatuar vërejtje të vogla në lidhje me shënimin e çmimeve, të cilat pas vërejtjeve të shqiptuara janë korrigjuar dhe larguar, thonë autoritetet. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU