Maqedoni
Arrestimi i Ajrulit, VLEN: Pjesë e klanit të Grubit
27.12.2024 15:51
Koalicioni VLEN ka lëshuar kritika në adresë të deputetit të Frontit Evropian Ilmi Aziri...

Me arrestimin e pronarit të kompanisë “Ritron Kopi”, Artan Ajrulit, demaskohet rrjeti i klanit të ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, thonë nga koalicioni VLEN. Sipas tyre, deputetin e Frontit Evropian, Elmi Aziri, ka shërbyer si urë lidhëse midis Ajrulit dhe Grubit. Nga VLEN-i thonë se kompania në fjalë, e cila është ngushtë e lidhur me deputetin Aziri gjatë vitit 2022 dy herë ka fituar tender në Lotarinë Shtetërore në vlerë prej 3 milionë denarë. Ajruli ka fituar edhe tre tenderë të tjerë në Likovë dhe Kumanovë.
“Ky klan korruptiv ka shfrytëzuar pozitat publike për të favorizuar veten dhe për të grabitur buxhetin që u takon qytetarëve! Vetëm në një lëndë, dëmi shkaktuar Lotarisë Shtetërore kap shifrën e tmerrshme prej 6.7 milionë denarësh. Të gjithë ata që pa pikë ndërgjegjeje apo morali politik kanë keqpërdorur pozitat e tyre, duke kaluar nga shërbyes të popullit në grabitqarë të pasurisë së tij, do të japin llogari! Ata do të dalin para drejtësisë dhe nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit. Fundi i tyre nuk është arratisja – ajo është vetëm fillimi i fundit të tyre!”, - deklaroi Fatmir Sabriu nga koalicioni VLEN.
VMRO: Dëmi në lotari, mbi 8 milionë euro
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se krimi në lotari po zgjerohet, duke tejkaluar shifrën 8 milionë euro.
“Janë dakorduar tenderë për furnizim të televizorëve, printerëve dhe pajisjeve kompjuterike, të cilat pas kontrolleve nuk janë gjetur. Krimi tejkalon mbi 400 mijë euro.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.
Toshkovski: Zgjerohet hetimi i lotarisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është shprehur se lënda për lotarinë do të zgjerohet.
“Ndaj personit juridik ekzistojnë më shumë indikacione për krime të kryera. Ekzistojnë më shumë të dhëna që ngrenë dyshime për më shumë vepra të kryera konkrete penale, të cilat kanë dëmtuar buxhetin e kompanisë. Andaj opinioni do të informohet në mënyrë adekuate.”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
LSDM-ja kërkon dorëheqjen e Toshkovskit
Nga LSDM-ja kërkojnë dorëheqjen e Toshkovskit, siç thonë pas skandaleve të shumta.
“Pjesa më e madhe e rasteve akoma nuk janë zbardhur. Rasti i fundit me ikjen e Artan Grubit vërteton faktin se kriminelët dhe terroristët mund të kalojnë kufirin pa problem.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Ditë më parë policia arrestoi Artan Ajrulin, pronarin e ndërmarrjes “Ritron Kopi”, pas zgjerimit të hetimit rreth keqpërdorimeve në Lotarinë Shtetërore, përderisa dy të dyshuarit kryesorë, Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, janë në arrati.
MERAL ISMAILI
