Ekonomi
Tetovë, 50 milionë euro, buxheti për vitin 2025
27.12.2024 16:06
Për herë të parë komuna e Tetovës do të ketë buxhet afër 50 milionë euro, tha i pari i Tetovës, Bilall Kasami...

Për herë të parë komuna e Tetovës do të ketë buxhet afër 50 milionë euro, tha i pari i Tetovës, Bilall Kasami, në debatin publik kushtuar propozim-buxhetit të kësaj komune. Kasami tha se 16 milionë euro nga buxheti do të jenë për investime kapitale. Ai tha se 37 milionë euro të buxhetit planifikohet të sigurohen nga komuna, ndërsa 11 milionë euro janë mjete nga ndihma e Qeverisë për komunat në vitin 2025.
“Si propozim-buxhet është buxheti më i madh i historisë së komunës së Tetovës, me diku rreth 50 milionë euro, 48.5 milionë euro konkretisht. 37 milionë euro janë buxhet të parapara për këtë vit dhe 11. 5 milionë euro janë mjete të cilat i takojnë komunës se Tetovës për vitin 2025 për investime kapitale nga Qeveria. Në kuadër të këtyre mjeteve diku rreth 16 milionë euro janë mjete për investime kapitale, pra 5 milionë euro nga buxheti i këtij viti dhe 11.5 milionë euro nga mjetet e parapara nga Qeveria.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami përmendi projektet më kapitale që pritet të realizohen në Tetovë.
“Është ndërtimi i shkollës tekstile, që do të kushtojë 5 milionë euro. Asfaltimi i rrugës në Kodrën e Diellit, rrugës së re që kemi hapur atje, ndërtimi i dy pishinave në dy shkolla fillore të Tetovës, tek shkolla fillore “Kirili e Metodi” dhe “Naim Frashëri” dhe katër milionë euro mjete të parapara për riparimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërtimin e rrugëve të reja dhe projekte të rëndësishme që janë paraparë për vitin 2025. Janë dy projekte për kanalizim atmosferik, siç është tek lagjja “Dardania” dhe tek nënkalimi në Falishtë. Projekti tjetër i rëndësishëm për Tetovën për vitin 2025 është gypi kryesor për ujësjellësin në Tetovë, investim 2 milionë euro, rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit në lagjen jashtë Vardarit. Në qytet janë paraparë investime infrastrukturore, por edhe në të gjitha fshatrat që gravitojnë në Tetovë.”, - u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Pas përfundimit të debatit publik, buxheti i komunës së Tetovës, të hënën pritet të shqyrtohet në këshillin komunal.
VISAR SADIKI
