Maqedoni
Spitali i Gostivarit, u promovua reparti tërësisht i rinovuar
27.12.2024 16:29
Pacientët dhe stafi në Repartin e Fizioterapisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar..

Pacientët dhe stafi në Repartin e Fizioterapisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar tani do të kenë kushte të përshtatshme dhe më të këndshme për trajtim mjekësor dhe punë. Në prani të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, u promovua reparti tërësisht i rinovuar, për të cilin u blenë pajisje të reja moderne. “Ka 30-35 vite që reparti i fizioterapisë nuk është rinovuar fare dhe tani, për rreth një muaj e gjysmë, ajo u rinovua plotësisht. Gjithashtu kemi marrë pajisje moderne që ishin të nevojshme për trajtimin e pacientëve.”, deklaroi ministri Taravari.
“Për investimin që u promovua sot janë shpenzuar rreth 4.5 milionë denarë. Në spitalin e Gostivarit është duke u bërë renovimi edhe i repartit të brendshëm, ku është paralajmëruar punë në repartin e oftalmologjisë, radiologjisë dhe gjinekologjisë. Përkundër investimeve, problem për departamentin e terapisë fizike mbetet mungesa e mjekëve specialistë. Reparti funksionon vetëm me një mjek fizioterapist.”, - deklaroi ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari.
LULZIM HAZIRI
