Maqedoni
Ligji për arsim fillor, përplasje dhe akuza mes deputetëve shqiptarë
27.12.2024 17:41
Propozim-ligji për arsimin fillor që ndodhet në Kuvend ka përplasur deputetët e partive...

Propozim-ligji për arsimin fillor që ndodhet në Kuvend ka përplasur deputetët e partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, duke fajësuar njëra-tjetrën për arritjet dhe ngecjet në sferën e arsimit. Deputetja nga Fronti Evropian, Ilire Dauti, u bëri thirrje deputetëve të VLEN-it që të jenë kundër propozim-ligjit për arsim fillor, ku parashihet që drejtorët e shkollave të testohen në gjuhën maqedonase.
“Në asnjë moment, ju kisha lutur që të mos e keqkuptoni thirrjen time shumë pozitive për ta dhënë votën tuaj kundër, sepse nëse ju nuk përgjigjeni se çfarë bëni ju sot, ja po ua them se çfarë unë mendoj. Ju sot jeni duke i detyruar që 367 drejtorë të shkollave fillore, në mesin e të cilave një numër i konsideruar zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe, po i detyroni që testimin ta japin vetëm në gjuhën maqedonase udhëheqësit e atyre shkollave.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti.
Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, theksoi se BDI-ja është partia që në qeverisjen e saj ka lejuar që shqiptarët të ofendohen dhe nënçmohen në tekstet shkollore.
“Tash e lusin VLEN-in, mos u bëni si ne, sepse interesi dhe shpëtimi i arsimit është që të mos bëheni si ne. Faleminderit për këtë lutje, kjo është një konkluzion që e dëgjojmë prej opozitës shqiptare. BDI-ja është partia, e cila ka lejuar që tekstet shkollore të cilat kanë qenë ofenduese për shqiptarët, mos harroni dhe gjithë e dimë. BDI-ja ishte ajo, që nëse sot flasim për mbrojtjen e shqiptarëve, ua bëjmë me dije që me aminin tuaj keni lejuar që librat ku mësojnë nxënësit tanë të shkruhet se shqiptarët janë ardhacak, e nuk janë autoktonë në këto vendbanime. Keni lejuar të shkruhet se shqiptarët kanë vjedhur e plaçkitur maqedonasit.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN.
Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, reagoi ndaj qëndrimeve të deputetit të VLEN-it, Halil Snopçe.
“Për pak do t’ua mbushje mendjen shqiptarëve se si hyzmeqarët kanë marrë ta përmirësojnë pozitën e shqiptarëve. I ke dy universitete shtetërore dhe shumë punë tjera që nuk do t’i përmendi dhe jorastësisht shqiptarët kanë votuar një koncept me shumicë për dhe ka pasur në kontinuitet edhe për grupet tjera politike. Për ligjin që flisje për tekstet shkollore është pikë tjetër e rendit të ditës, ti duhet të prononcohesh se a jeni dakord, do ta lexoj që edhe këtë me hile e keni propozuar, a do ta mbështesni a jo, që drejtorët shqiptarë nëpër shkolla t’i nënshtrohen testit nëse e njohin gjuhën maqedonase.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Ditë më parë, Ministria e Arsimit ka tërhequr propozim-ligjin për arsim të mesëm, neni 54, që parashikonte intonimin e himnit të shtetit në çdo fillim dhe mbarim të vitit shkollor, si dhe gjatë festimit të patronatit të shkollave.
FLORIJE KAMBERI
