Protesta kundër ndotjes së ajrit, qytetarët kërkojnë masa urgjente
Përmes një marshi që filloi nga Ministria e Mjedisit...

“Duam ajër të pastër, nuk po merret frymë!”, “Ajri është helmues, kurse qeveria e shurdhër”. Me këto thirrje qindra qytetarë dolën në rrugët e Shkupit për të protestuar kundër ndotjes së ajrit, një problem që po ndikon seriozisht në shëndetin dhe cilësinë e jetës.
Përmes një marshi që filloi nga Ministria e Mjedisit dhe vazhdoi drejt Kuvendit e deri te Qeveria dhe Qyteti i Shkupit, protestuesit artikuluan katër kërkesa të qarta për veprime konkrete.
“Kërkesa e parë është monitorimi i vazhdueshëm publik i objekteve industriale për të ditur saktësisht se kush dhe si ndot. Kërkesa e dytë ka të bëjë me ngrohjen ekologjike të objekteve si Klinika e Fëmijëve në Kozle, e cila ende ngrohet me mazut. Kërkesa e tretë është të trajtohet autocentriciteti i qytetit, duke i dhënë përparësi transportit publik dhe biçikletave mbi makinat dhe kërkesa e katërt është një menaxhim më i mirë i mbetjeve.” – tha Borjan Jovanovski nga “Qyteti i Gjelbër Human”.
Ndotja e ajrit, LSDM: Premtimet e Mickoskit, vetëm mashtrim
Lidhur me çështjen e ndotjes së ajrit, LSDM ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Sipas partisë në opozitë, gjashtë muaj që kur VMRO-DPMNE është në pushtet, nuk ka marrë asgjë serioze për luftën ndaj ndotjes së ajrit.
Përkundrazi, nga LSDM vlerësojnë se pushteti po shkurton mjetet që kanë të bëjnë me ballafaqimin e ndotjes.
“Ku janë premtimet e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së? Kur ishin në opozitë premtuan 1 miliard euro investime për ajër të pastër dhe ulje të ndotjes për 50%. Këto premtime dolën të ishin një gënjeshtër e madhe sot. Qeveria e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-ja jo vetëm që nuk ndërmerr masa serioze, por edhe zvogëlon mjetet për luftimin e ndotjes së ajrit për 51%, kurse në buxhetin e vitit 2025 nuk janë përfshirë as programet mjedisore që me vite janë realizuar me sukses.” – tha Kaja Shukova nga LSDM.
Ndotja e ajrit, VMRO: LSDM dështuan të ulin ndotjen për 7 vite
Reagojnë nga VMRO-DPMNE, të cilët qëndrimin e LSDM-së e vlerësojnë si hipokrite. Sipas partisë në pushtet LSDM shtatë vite nuk ka pasur sukses të ul ndotjen e ajrit as për 1%.
“LSDM me partnerin e tyre kriminal BDI, në vend që të merreshin me uljen e ndotjes së ajrit, kërkonin të mbushnin më shumë xhepat e tyre. Për dallim nga ata, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të luftojë kundër ndotjes së ajrit përmes hapave konkrete. Disa nga masat janë subvencione për klimat me inverter, mbështetje financiare për teknologjitë mjedisore, pyllëzimi dhe gazifikimi i përshpejtuar, si dhe zgjidhje inovative për një të ardhme të qëndrueshme.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Përderisa përplasjet politike vazhdojnë, ndotja e ajrit vazhdon të merr jetë njerëzish. Sipas të dhënave të UNICEF-it, 11.6% e vdekjeve të të porsalindurve në vend lidhen me ndotjen e ajrit, që do të thotë se çdo i nëntë fëmijë i vdekur nën një vjeç vdes nga ndotja e ajrit.
Ndërkohë raporti i Bankës Botësore i publikuar javë më pare tregoi se 2800 persona mesatarisht në vjet ndërrojnë jetë si pasojë e ndojtes së ajrit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
