Lista e zezë, Merkos do t’i merret pasaporta

28.12.2024 15:47

Gjykata e Strugës ka vendosur që kryetarit të Strugës, Ramiz Merko...

Gjykata e Strugës ka vendosur që kryetarit të Strugës Ramiz Merko t’i merret pasaporta dhe të paraqitet në gjykatë një herë në javë. Vendimi merret pas paraqitjes së rrezikut të arratisjes së Merkos, pasi ndaj tij u ngrit edhe një akuzë e që kishte të bëj me vendosjen së monumentit në hyrje të godinës së komunës në mars të këtij viti. Pretendohet se monumenti ka nxitur përçarje etnike. Prokuroria themelore e Strugës veçmë po heton Merkon në tetë procedura gjyqësore për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Me aktakuzën e fundit të ngritur dje, në Gjykatat themelore në Strugë dhe Manastir, kundër të akuzuarit do të zhvillohen gjithsej nëntë procedura aktive gjyqësore dhe në secilën prej tyre i parashihet dënim me burg“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

VLEN: BDI-së po i vjen fundi

Koalicioni VLEN ka përshëndetur vendimin e gjykatës së Strugës duke obliguar kryetarin e komunës Ramiz Merko që të dorëzojë pasaportën dhe të paraqitet në gjykatë një herë në javë. Me vendimet e fundit të gjyqësorit në betejën anti krim, VLEN po shikon fundin fundin e BDI-së.

“BDI-ja non grata po shembet si kulla prej letrash! Ata që për 20 vite rrënuan shtetin me korrupsion e krim, sot po përballen me drejtësinë. Artani ka ikur, Përparimi është zhdukur, Merko pa pasaportë, dhe qelitë po dezinfektohen për t’i pritur të gjithë!”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.

BDI akuza Gashit, “komunikoi në maqedonisht me delegacionin shqiptarë”

Nga BDI me kundër akuza, duke shënjestruar kryeparlamentarin Afrim Gashi. Integristët kritikojnë Gashin se me delegacionin shqiptar gjatë vizitës së tyre në Shkup, ka komunikuar në gjuhën maqedonase.

“Pyesim Afrim Gashin: a ishte një akt i qëllimshëm për të mohuar rëndësinë e gjuhës shqipe apo besimi i gabuar se shqipja është thjesht një gjuhë përkthimi, arsyeja pse ju shokuat delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vizitës së tyre në Shkup? Pse, kur ata ju drejtuan në gjuhën tuaj amtare, ju vendosët të përgjigjeni dhe të zhvilloni të gjithë bisedën në maqedonisht, me përkthyes në shqip?” thuhet në komunikatën e BDI-së.

Zyra e Kryeparlamentarit përgënjeshtron akuzat

Pretendimet e BDI-së i ka përgënjeshtruar zyra e kryeparlamentarit.

“Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë u prit me protokollin më të lartë shtetëror, duke reflektuar përkushtimin e kryeparlamentarit Gashi për të nxitur marrëdhënie të fuqishme dhe të respektueshme me Republikën e Shqipërisë. Takimi ishte plotësisht transparent, i hapur për publikun dhe mediat, ku kryeparlamentari Gashi mbajti fjalimin e tij në gjuhën shqipe dhe maqedonase, duke iu përmbajtur me përpikëri ligjit, Rregullores dhe Kushtetutës.” – thuhet në reagimin e Kuvendit të Republikës.(Meral Ismaili, TVM2)