Integrimi, Murtezani: Procesi të mbrohet nga bilateralizimi
Procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian...

Procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian duhet të mbrohet nga çështjet dypalëshe, vlerëson ministri për çështje europiane Orhan Murtezani.
Sipas tij konteste bilaterale drejt BE-së nuk ka vetëm Maqedonia e Veriut, por edhe Mali i Zi dhe unioni është i shqetësuar për këtë fakt.
“Posaçërisht tani gjatë mbylljes së kapitujve të Malit të Zi edhe Kroacia paralajmëroi bllokime të caktuara. Gjithashtu edhe për vende të tjera ka paralajmërime për bllokim të procesit dhe bilateralizimi i procesit të anëtarësimit në BE, nuk krijon dëm vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë BE-në. Vendet anëtare dhe institucionet të cilat përfaqësojnë Unionin, kuptohet se janë të vetëdijshme për këto probleme dhe argumentet tona i dëgjojnë me vëmendje të madhe.” – tha Ministri për Çështje Europiane, Orhan Murtezani.
Murtezani në intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, thekson se qeveria ka vullnet të zgjidh çështjen e ndryshimeve kushtetuese.
“Ne disa herë, bashkë me kryeministrin jemi munduar që të spjegojmë se obligimet e marra sa i takon zbatimit të ndryshimeve kushtetuese qëndrojnë si të atilla, ekziston vullnet politik dhe gadishmëri që të miratohen, megjithatë ne duhet të mbrojmë procesin nga bilateralizimi i mëtejmë.” – u shpreh Murtezani.
Murtezani, madje vlerëson se bisedimet duhet të zhvillohen ashtu siç janë të dizajnuara, në bazë të reformave të zbatuara për arritjen e standardeve europiane. Ndryshe, sipas tij, negociimi për zhvillimeve në epoka të caktuara historike nuk bën sens. (Meral Ismaili, TVM2)
