Siljanovska: Krenar me paqeruajtësit tanë
Këtë mesazh presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova....

“Jam krenare për pjesëtarët e Ushtrisë që janë në misione paqeruajtëse, por më tepër krenare për familjet dhe fëmijët e tyre”.
Këtë mesazh presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, ua përcolli pjestarëve të Armatës të cilët janë në misione paqëruajtëse jashtë vendit.
Përmes një video-konference, në prani të familjeve të ushtarëve që ndodhen në misione paqëruajtëse jashtë vendit, presidentja Siljanovska iu apeloi ushtarëve që të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të kthehen shëndosh e gjallë pranë familjeve të tyre.
“Qëndroni në kontakt të vazhdueshëm me ne dhe familjet tuaja dhe të jeni të sigurt se në mungesë tuaj ne do të kujdesemi për ta. Mendimet tona janë me ju. Ajo që po bëni është me të vërtetë një çështje respekti të pamasë. Nga zemra ju uroj juve, fëmijëve tuaj dhe familjeve tuaja që viti 2025 të jetë vit më i bukur.” – tha Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Lafçiski tha se në këtë manifestim tradicional, familjet e paqeruajtësve kanë mundësi të shohin se si Ushtria kujdeset për paqeruajtësit e saj.
Pas tubimit joformal të familjeve të paqeruajtësve me presidenten Siljanovska-Davkova, ministrin Misajlovski dhe gjeneralin Lafçiski, fëmijëve iu ndanë pako për Vitin e Ri.
Aktiviteti para Vitit të Ri u përmbyll me ardhjen tradicionale të Babadimrit me helikopter dhe shpërndarjen e paketave për fëmijët e pjesëtarëve të Ushtrisë dhe punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes. (Ersan Pajaziti, TVM2)
