Kosovë, mbahet konferenca e ambasadorëve, Kurti: Serbia përhap narrativë kundër Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë adresimit në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka vlerësuar rrugëtimin e vendit si një histori suksesi, të ndërtuar mbi demokracinë, sundim të ligjit dhe aspirata të palëkundura për liri dhe drejtësi, por ka kërkuar nga përfaqësuesit e Kosovës jashtë vendit që të jenë sa më aktiv e të përkushtuar përballë narrativave propaganduese të Serbisë.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën, dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativësh të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe tentojnë të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, në betejën e narrativëve të rremë shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armët kyçe.
“Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën tonë”, tha ai.
Kurti, por edhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të Kosovës edhe në të kaluarën kanë fajësuar Serbinë dhe Rusinë se përhapin dezinformata kundër Kosovës.
