Incident në BFI, një grup personash sulmojnë institucionin

04.05.2015 12:04

Në selinë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, mëngjesin e sotëm ka ndodhur një incident i rëndë...

Sipas informacioneve të para nga ky institucion, kuptohet se një grup prej disa personave ka sulmuar institucionin në fjalë dhe disa të punësuar në Bashkësinë Fetare Islame.

Nga BFI gjithashtu e konfirmojnë rastin dhe thonë se janë sulmuar edhe disa persona duke punuar.

“Punëtorët e BFI-së u sulmuan nga një grup njerëzish të udhëhequr nga ish myftiu dhe ish sekretari i BFI-së”- thonë nga BFI.

Incidenti i sotëm vjen pas përplasjeve të fundit që ndodhën në BFI, me ç’rast u shkarkuan myftiu, Ibrahim Shabani, dhe sekretari, Afrim Tahiri. Shkarkimi i tyre erdhi si rezultat i një konflikti verbal mes tyre dhe kreut të BFi-së, Sulejman Rexhepit.

Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Ibrahim Shabani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij para pak çastesh mbajti edhe press-konferencë për mjetet e informimit në shenjë revolte dhe pakënaqësie për shkak të, siç thotë, shkarkimit të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij nga postet të cilët i kanë ushtruar pa asnjë arsye nga rijaseti i BFI-së.