Obeziteti, ky “vrasës” i heshtur, Ahmeti: Mbi 230 sëmundje janë të lidhur me të
Obeziteti është fenomen global...

Obeziteti është fenomen global që është rritur me ritme alarmante në dekadat e fundit dhe konsiderohet një sfidë madhore për shëndetin publik. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se obeziteti ka arritur përmasa epidemike, duke prekur të gjitha grupmoshat, nga fëmijët deri te të moshuarit. Faktorët që ndikojnë në obezitet janë: Stili i jetesës, mjedisi, faktorët hormonal dhe metabolik, gjenetika, shëndeti mendor etj., shpjegojnë endokrenologët.
Aktualisht në botë janë rreth 500 milion njerëz me obezitet. Në vendin tonë më shumë se 30% e popullatës janë obezë, thotë endokrenologu Irfan Ahmeti.
“Duhet ta kuptojmë obezitetin si sëmundje kronike, sepse lidhet me shumë komplikime, gjegjësisht me shumë sëmundje tjera kronike si pasojë e obezitetit, thuajse diku mbi 230 sëmundje janë të lidhur me të. Prej tyre kemi shumë sëmundje që janë endokrine, si p.sh. diabeti i tipit 2, çrregullimet e gjëndrës tiroide e kështu me radhë. Nga ana tjetër, kemi çrregullime të sistemit kardiovaskularë, d.m.th. rritet rrezikshmëria për sulme në zemër dhe në tru, pastaj e ashtuquajtura Apnea e gjumit, rrezikshmëria për kancer, apo disa lloje të kancereve, çrregullime në nyjet kockore, etj.” – tha endokrenologu, Irfan Ahmeti.
Kadriu: Aktivitet fizik dhe ushqim të mirë
Nëse më parë obeziteti i ka përfshirë vetëm të moshuarit, personat e rritur apo ata me sëmundje të caktuara, fatkeqësisht sot obeziteti paraqitet alarmante edhe tek fëmijët dhe adoleshentët.
Tek ta, obeziteti veç tjerash, mund të shpije edhe drejt problemeve psikike, duke arritur edhe tek depresioni dhe hasja e probleme me socializimin, theksoi dietologia Valbona Kadriu, e cila potencoi disa mënyra të parandalimit.
“Mënyra e vetme për t’i dalë në luftë kësaj epidemia, apo pandemie ndoshta, është mënyra e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik. D.m.th. duhet të kemi kujdes se çfarë ushqimi konsumojmë, të jenë ushqime të freskëta, të marrim ushqim aq sa trupi ynë shpezon dhe aq sa kemi nevojë, të konsultohemi kryesisht me persona adekuat të cilët janë profesionistë, e jo të mbajmë dieta të cilat mund të jenë strikte, që mund të rezultojnë me humbje të shpejtë të peshës, por pas një kohe të kemi problematika apo pasoja të ndryshme në organizëm dhe rikthim të peshës. Duhet të jetë një mënyrë e ushqimit e ekuilibruar.” – deklaroi dietologja, Valbona Kadriu.
Epidemia është shtuar si pasojë e ndryshimeve sociale, ekonomike, kulturore dhe fizike. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth dy të tretat e popullsisë adulte në shumicën e vendeve europiane nuk janë mjaftueshëm fizikisht aktiv për të siguruar dhe mbajtur një mirëqënie shëndetësore dhe 42% nuk kryejnë asnjëherë një aktivitet fizik dhe vetëm në disa vende arrihet konsumi i frutave dhe perimeve në nivelet e rekomanduara. (Fitore Demolli, TVM2)
