Aksion i madh policor, bastisje grupit që kontrabandonte vetura

29.12.2024 15:08

Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike...

Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike po realizon një aksion, ku po kryen bastisje për shkatërrimin e një grupi të dyshuar për kontrabandimin e automjeteve luksoze nga vendet e Perëndimit.

Nga MPB konfirmojnë aksionin, nga ku thonë se janë konfiskuar dokumentacioni i personave në fjalë, pajisjet personale dhe mjete të tjera të ndaluara me ligj.

“Reparti për Polici Kriminale, Reparti për Luftimin e Krimit të Organizuar, SPB Shkup, NJPB Gjorçe Petrov, SPB Manastir, NJPB Negotinë dhe NJPB Gjevgjeli në koordinim me Prokurorinë Themelore Shkup me urdhër të Gjykatësit të procedurës paraprake, po ndërmarrin veprime për sigurimin e dëshmive në procedurë për vepra penale të lidhura me  kontrabandimin e automjeteve luksoze nga jashtë. Janë kryer dhjetë bastije te dhjetë persona në më shumë lokacione në Shkup, Negotinë, Dojran dhe Manastir. Gjatë bastisjeve është gjetur dokumentacion i llojllojshëm, rreth 25 gram kokain, laptop, telefona celularë dhe mjete tjera të ndërlidhura me veprat penale” – tha Goce Andreevski • MPB

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në lidhje me këtë aksion është njoftuar për së afërmi nga punonjësit e policisë në Gjorçe Peterov. Ai paralajmëroi se lufta kundër krimit dhe korupsionit do të vazhdojë.

“Aksioni është i orientuar drejt shkatërrimit të një grupi kriminal të organizuar që merret me kontrabandimin e automjeteve të shtrenjta, falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, për të cilat sot po realizoheshin bastisje në disa lokacione. Ne do të vazhdojmë luftën kundër të gjitha formave të krimit, sepse qytetarët e Maqedonisë meritojnë të jetojnë në një shtet të qëndrueshëm dhe të sigurt”, - është shprehur ministri Toshkovski në rrjetin social Facebook.

Në mesin e të dyshuarve ka dhe persona zyrtarë dhe një shtetas të huaj. Nga Prokuroria Themelore Publike theksojnë se informacione të detajuara do të jepen pas përfundimit të aksionit.

“Bastisjet po zbatohen nga pjesëtarë të MPB-së, ndërsa për rrjedhën e mëtejme të procedurës dhe për veprimet konkrete për të cilat ekzistojnë dyshime se janë kryer nga secili prej personave të përfshirë, Prokuroria do të informojë pas përfundimit të tyre,”  - theksojnë nga Prokuroria Themelore Publike. (Ersan Pajaziti, TVM2)