Botë

Izrael, hebrenjtë etiopianë përleshen me policinë

04.05.2015 15:42

Dhjetëra policë e demonstrues kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së një grupi izraelitësh me origjinë etiopiane kundër brutalitetit të policisë në Tel Aviv...

Tubimi nisi si paqësor, por situata eskaloi shpejt. Mijëra persona marshuan qetësisht deri në çastet kur një grup i vogël njerëzish u shkëput prej turmës dhe tentoi të sulmonte ndërtesën e bashkisë së qytetit.
 
Forcat e rendit ndërhynë duke lëshuar gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit e egërsuar hodhën drejt tyre shishe qelqi e copa tullash.
 
Tensionet u rriten pas publikimit të një videoje javën e kaluar, ku dy policë godisnin egërsisht një ushtar izraelito-etiopian. Efektivët janë pezulluar nga detyra dhe incidenti po hetohet prej autoriteteve përkatëse. 
 
Hebrenjtë etiopianë, që jetojnë në Izrael, janë ankuar prej kohësh për diskriminim.
 
Të ardhurat e tyre janë shumë më të ulëta se ato të pjesës tjetër të popullatës, mundësitë e arsimimit i kanë më të kufizuara, ndërsa gjasat për të përfunduar në burg për pjesëtarët e këtij komuniteti janë më të mëdha.