Përplasje politike, BDI dënon lirimin e të dënuarve për 27 prillin

29.12.2024 16:17

Krimi i organizuar dhe korrupsioni në fokus...

Krimi i organizuar dhe korrupsioni në fokus të përplasjeve të partive politike. BDI kanë reaguar për lirimin e të dënuarve për 27 Prillin dhe shpalljen e policit në Kumanovë të pafajshëm.

Integristët në mënyrë ironike për këto çështje kanë uruar koalicionin shqiptarë në pushtet, koalicionin VLEN.

“BDI dënon partitë e zgjedhura nga VMRO-DPMNE në qeveri të njohura si VLEN, për lirimin e të dënuarve për sulmin e 27 prillit 2017, që synonte të pengonte zgjedhjen e Kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit dhe rrezikoi jetën e deputetëve. Urime gjithashtu për shpalljen si hero të policit që përdhosi flamurin shqiptar, një tjetër shembull i qartë i përbuzjes ndaj simbolikës dhe dinjitetit të shqiptarëve nga VLEN. Pas këtyre veprimeve, është e natyrshme që VLEN të shpallë edhe ish-Zëvendëskryeministrin Koço Angjushev “Biznesmeni i Vitit,” jo se është në listë të zezë, por si mentor dhe aleat i padronit të tyre në qeveri.”, theksojnë nga BDI.

VLEN: Po shembet kulla e ndërtuar me korrupsion

Nga ana tjetër nga VLEN theksojnë se brenda një muaji, u shkatërrua kulla e ndërtuar për dy dekada me krim dhe korrupsion. Rastet e fundit sipas VLEN-it dëshmojnë përfshirjen e BDI-së në krim të thellë dhe korrupsion.

“Arratisjen e shohin si rrugë shpëtimi. Pasi dëbuan qytetarët, tani po përgatiten për të paketuar valixhet dhe për t’u larguar nga vendi. Të parët ishin Grubi dhe Bajrami, ndërsa të tjerët kanë një këmbë brenda dhe një këmbë jashtë vendit. Ramiz Merkos iu mor pasaporta. Dogjën vetura dhe lokale, por harruan se as tymi i atij zjarri nuk i mbulon krimet e tyre. Tashmë ka filluar djegia e partisë nga rrënjët.”, theksojnë nga VLEN.

VMRO-DPMNE: LSDM ndihmoi Grubin

Ndërkohë, partitë e bllokut maqedonas vazhdojnë përplasjet e tyre për çështjen e Grubit. VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se përmes dyshes Zaev dhe Filipçe, i mundësoi Grubit të kryejë krime tek Lotaria.

“Po të mos ishin Zaev dhe Filipçe, krimi i Grubit dhe BDI-së nuk do të ishte i mundur. Grubi dhe BDI e kishin kthyer Lotarinë në një kompani private, përmes së cilës shpërndanin tenderë dhe para. Përpjekjet e dëshpëruara të LSDM-së për të mbuluar krimin dështuan. Prandaj, qytetarët lexuan përpjekjet e tyre destruktive për të qëndruar në pushtet dhe i ndëshkuan në zgjedhje.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

LSDM: Toshkovski e lejoi Grubin të arratiset

Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së që fajin për arratisjen e Artan Grubit t'ia kalojë LSDM-së janë të kota, reagojnë nga LSDM.

Social-demokratët kërkojnë përgjegjësi nga ministri i punëve të brendshme Toshkovski për arratisjen e ish zv/kryeministrit Artan Grubi.

“Faktet janë të qarta: Toshkovski e lejoi Grubin të arratisej dhe tash e 20 ditë po ai nuk e di ku është Gubi. Pasi “rastësisht” nuk funksionuan kamerat, “rastësisht” policët nuk e dinin se kë duhet të kontrollonin dhe “rastësisht” kufitari, përndryshe stafi i Toshkovskit bëri “gabim” sepse ai ishte “i emocionuar” nga Grubi. VMRO-DPMNE-ja është kot tani, e lanë Grubin të ikë dhe e gjithë përgjegjësia është e qeverisë.”, theksojnë nga LSDM, duke thënë se opinioni ka të drejtë të dijë se cila është marrëveshja politike dhe cili është çmimi i këtij skandali. (Ersan Pajaziti, TVM2)