Botë

Protesta kundër Netanyahut, kërkojnë që qeveria izraelite të arrijë marrëveshje për lirimin e pengjeve me Hamasin

30.12.2024 10:31

Mijëra izraelitë kanë protestuar sërish kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Tel Aviv...

Mijëra izraelitë kanë protestuar sërish kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Tel Aviv dhe bënë thirrje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës nga Hamasi.

“Unë jam sot këtu duke bërtitur jo vetëm për të rrëmbyerit, jo vetëm për babanë tim, por për vendin tim. Vendi që është i plagosur dhe i gjakosur ka nevojë për dritë, ka nevojë për një mrekulli. Ne kemi nevojë për të rikthyer besimin tonë”, tha Ella Ben- Ami, vajza e njërit prej pengjeve.
 
Protestat po marrin gjithnjë e më shumë një dimension politik, me shumë persona në mitingje që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
 
Ata e akuzojnë atë se i jep përparësi mbijetesës së tij politike mbi jetën e pengjeve.
 
Bombardimet e Izraelit dhe pushtimi tokësor i Gazës ka vrarë mbi 45,000 palestinezë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallime midis luftëtarëve dhe civilëve në numërimin e saj.
 
Ofensiva ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka zhvendosur rreth 90% të 2.3 milionë banorëve të Gazës larg vendbanimeve të tyre.