Maqedoni
Janevska: Abetarja e unifikuar shqipe nuk është libër
30.12.2024 15:00
“Abetarja e unifikuar shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është libër, por material ndihmës.”....

“Abetarja e unifikuar shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është libër, por material ndihmës.”. Kështu ka deklaruar ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, sipas së cilës ky vendim është miratuar nga ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. Si material ndihmës nuk ka asnjë pengesë që Abetarja të vazhdohet të përdoret nëpër shkolla, thotë Janevska.
“Do të thotë Abetaren e gjuhës shqipe, ministri Jeton Shaqiri bashkë me Byronë, e kanë miratuar si material ndihmës, nuk është libër. Jashtë këtij vendi, nuk e di se çfarë është. Në këtë vend është material ndihmës dhe nuk ka pengesa që edhe më tutje të përdoret.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
BDI, akuza pushtetit për ndalimin e abetares
Kanë reaguar nga BDI-ja nga e cila thonë se deklaratat e VLEN-it për abetaren e unifikuar janë përpjekje të kota për të fshehur të vërtetën dhe për të manipuluar opinionin publik.
“E vërteta është e qartë dhe e dokumentuar: Ligji i miratuar prej tyre ndalon përdorimin e abetares së unifikuar shqiptare. Sipas nenit 10 paragrafit 2, të ligjit, “për lëndët e gjuhës dhe kulturës të komuniteteve, përfshirë ato për herë të parë të futura në arsim, tekstet duhet të hartohen nga shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”. Kjo dispozitë eliminon mundësinë e përdorimit të teksteve të hartuara në bashkëpunim me vendet tjera, përfshirë Abetaren e unifikuar, një arritje madhore që garanton standardizimin dhe zhvillimin e gjuhës amtare. Abetarja e unifikuar nuk është dhe nuk mund të jetë çështje politike. Ajo është një simbol i përbashkët kombëtar që garanton barazi dhe cilësi në arsimin shqip, duke u siguruar nxënësve tanë mundësi të barabarta për të mësuar gjuhën amtare në standard të lartë. Abetarja e unifikuar nuk mund të ndalohet me asnjë ligj apo interpretim politik. Të mbrojmë abetaren është detyrë kombëtare!”, thonë nga BDI.
VLEN: Abetarja kërkon implementim të kujdesshëm
Nga koalicioni VLEN, duke theksuar se BDI-ja me gënjeshtra e humbi pushtetin, prandaj është absurde si po tentojnë që përmes gënjeshtrave ta mbajnë atë grusht elektorati që u ka ngelur.
“Kur jemi te gënjeshtrat e tyre, e fundit është kjo lidhur me abetaren e unifikuar se kinse me ndryshimet e Ligjit për tekstet shkollore u ndalua përfundimisht përdorimi i Abetares së unifikuar të gjuhës shqipe. Rikujtojmë opinionin mbarëshqiptarë se ky Ligj ka ekzistuar më herët, ndërkaq ajo që është risi e që ka ndodhur për herë të parë në vendin është shpërndarja e Abetares së unifikuar te nxënësit në të gjitha shkollat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kur? Në kohën kur me vendin po qeverisin koalicioni më i madh shqiptar, me dinjitet e profesionalizëm, VLEN. Abetarja e unifikuar është një hap i rëndësishëm për të garantuar që të gjithë nxënësit të kenë mundësi të barabarta për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre bazë, mësimin e gjuhës amtare në formë standarde. Është një mundësi për të krijuar një sistem arsimor më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë për të gjithë fëmijët shqiptarë në shkollat shqipe kudo që mësojnë, të mësojnë gjërat e njëjta edhe pse jetojnë në shtete të ndryshme. Abetarja e unifikuar mund të jetë një hap pozitiv në përmirësimin e cilësisë së mësimit të gjuhës amtare, por sqarojmë që ajo kërkon një implementim të kujdesshëm dhe të drejtë, që nuk duhet të ndikohet nga agjenda politike të asnjë partie, përfshirë BDI-në non grata.”, theksojnë nga VLEN-i.
Nga ky koalicion theksojnë se arsimimi duhet të mbetet një prioritet nacional, pa asnjë ndikim të drejtpërdrejtë nga politikat e ngushta partiake për interesa klanore.
REXHEP QAMILI
