Maqedoni
Klinika për Psikiatri – Shkup, pacientët kanë kushte më të mira, riparohet objekti
30.12.2024 15:15
Personat që vuajnë nga varësia e bixhozit, varësia e qëndrimit të gjatë në internet, alkoolit dhe substancave narkotike...

Personat që vuajnë nga varësia e bixhozit, varësia e qëndrimit të gjatë në internet, alkoolit dhe substancave narkotike, do të kenë mundësi të trajtohen në Klinikën për Psikiatri - Shkup, njoftoi drejtoresha e kësaj klinike, Sllavica Arsova, e cila tha se do të hapen kabinete të reja edhe për mbështetje psikologjike të pacientëve që vuajnë nga kanceri. Arsova njoftoi gjatë ceremonisë së hapjes së katit të parë të rinovuar tërësisht dhe përmirësimit të efikasitetit energjetik të kësaj klinike.
“Mund të punojmë dhe ofrojmë kujdes shëndetësor cilësor për të gjithë ata që kanë probleme psikologjike të çfarëdolloj natyre. Kushtet më të mira i kemi siguruar jo vetëm për pacientët, por edhe për personelin mjekësor. Në bashkëpunim me Klinikën Onkologjike kemi hapur kabinet për mbështetje psikologjike dhe psikiatrike për pacientët me sëmundje onkologjike. Gjithashtu jemi duke hapur kabinet për trajtimin e pacientëve, të cilët janë të varur nga bixhozi, qëndrimi i gjatë në internet, si dhe atyre që janë të varur nga alkooli dhe substancat tjera narkotike.”, - deklaroi drejtuesja e Klinikës Universitare për Psikiatri – Shkup, Sllavica Arsova.
Sipas kryeministrit Hristian Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, Qeveria ka për qëllim që kushtet nëpër institucionet shëndetësore të shtetit, të bëhet më të mira sesa nëpër klinikat private.
“Jemi në Klinikën e Psikiatrisë dhe kushtet janë vërtetë shumë të mira, ndoshta më dinjitoze për pacientët tanë sesa në klinikat private në shtet. Gjithmonë si Qeveri, por edhe si Ministri e Shëndetësisë, para së gjithash dhe mbi të gjitha është të ofrojmë kushte më cilësore për pacientët në institucionet publike shëndetësore.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Gjithçka që është lënë pas dore në të kaluarën, tani ne si Qeveri e re, kemi për qëllim që në shëndetësi të bëjmë më shumë dhe qytetarët do të kenë kushte më të mira, kushte të tilla siç meritojnë dhe njerëz të motivuar për t'u kujdesur për shëndetin e tyre. Kemi punuar shumë edhe në pjesën e nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive, diçka që më herët nuk është bërë dhe më këtë motivi te të punësuarit shëndetësor është rritur.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Projekti për riparimin e katit të parë të Klinikës së Psikiatrisë ka filluar vitin e kaluar dhe është realizuar me mbështetjen e Bankës Botërore, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
