Maqedoni

Rasti i Grubit dhe deklarata e Ahmetit, PThP: Edhe qytetarët duhet të japin informacion

30.12.2024 15:33

Prokuroria Publike nuk e përjashton mundësinë e intervistimit të liderit të BDI-së pas deklaratës së tij se ish-zëvendëskryeministrin Grubi...

Prokuroria Publike nuk e përjashton mundësinë e intervistimit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, pas deklaratës së tij se ish-zëvendëskryeministri, Artan Grubi, ndodhet në territor shqiptar dhe se do të ballafaqohet atëherë kur drejtësia nuk do të jetë selektive dhe hakmarrëse. Nga Prokuroria thonë se kanë lëshuar urdhërarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin, Grubi, i cili përfshin edhe thirrjen për personat që mund të kenë dijeni për vendndodhjen e tij. 
 
“Prokuroria Publike ka lëshuar urdhërarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për të dyshuarin. Autoritetet vendase dhe ndërkombëtare të ngarkuara me ekzekutimin e këtyre urdhrave kanë të gjitha autorizimet për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për gjurmimin e personit, duke përfshirë thirrjen dhe intervistimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për vendndodhjen e të dyshuarit.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike.
 
Mickoski: Ia lëmë Prokurorisë, ne jemi Qeveri
 
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Qeveria nuk ndërhyn në këtë rast, por fton Prokurorinë që ta ftojë Ahmetin për deklaratë.
 
“Shpresoj që kjo të arrijë në Prokurori dhe të ketë një procedurë ligjore në të cilën nëse kemi një person që e di se ku është një i arratisur nga ligji, se do ta thërrasin atë person dhe ata do t’i përgjigjen pyetjes se ku është i arratisuri nga drejtësia. Për çdo gjë tjetër mund të komentoj se të gjithë në vend e dinë se si janë emëruar prokurorët dhe gjyqtarët në shtatë vitet e fundit. Të njëjtët pa të cilët nuk mund të kalonte kualifikimi përmes Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, tani thonë se dikujt iu mohua drejtësia dhe se kjo ishte përndjekje politike. Më lejoni t’ju kujtoj – i arratisuri i përmendur është në listën e sanksioneve amerikane dhe aty thonë publikisht se ky person së bashku me njëri-tjetrin janë të lidhur me skandale të mëdha korrupsioni. Supozoj se nuk do ta akuzojnë Departamentin e shtetit për përndjekje politike.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
LSDM: PThP-ja dhe Toshkovski ta thërrasin Ahmetin
 
Edhe LSDM-ja kërkon që Prokuroria dhe ministri i Brendshëm, Toshkovski, ta thërrasin në pyetje kreun e integristëve.
 
“Pasi lideri i BDI-së u ngrit në mbrojtje të Grubit, është më se e qartë se ai vetë e ka informuar për vendndodhjen e tij dhe ka informacione të rëndësishme për rastin. Pse Prokuroria dhe Toshkovski nuk e thërrasin Ahmetin për të dhënë deklaratë? Si ka mundësi që Ahmeti dhe Mexhiti e dinë se ku është Grubi, vetëm Toshkovski të jetë plotësisht i painformuar?”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LSDM-ja.
 
Nga atje thonë se ky rast është shembull klasik i selektivitetit, por edhe paaftësisë së madhe të Toshkovskit dhe MPB-së për zbatimin e ligjit. Edhe nga VLEN-i, respektivisht zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, kërkon nga Prokuroria Publike, që ta respektojë ligjin dhe ta thërrasë Ahmetin në pyetje për informacionet që posedon  lidhur me personin që ndiqet nga drejtësia e vendit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU