Botë
Mosshkuarja e Kurtit në Prokurori, reagon prokurori i Speciales, Isufaj
30.12.2024 15:55
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i është përgjigjur kryeministrit Kurti...

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i është përgjigjur kryeministrit Kurti, i cili i ka ftuar prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeveri, pas ftesës nga Prokuroria që Kurti të paraqitet për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit. Do të luftojmë kundër gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, pa dallim, pavarësisht pozitës që kanë, tha Isufaj në konferencën për media.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e Drejtësisë. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike – përfshirë Qeverinë – të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e Drejtësisë.”- u shpreh ai.
Haxhiu i reagon prokurorit, Isufaj
Kryeministri Kurti nuk ka dashur t’i komentojë qëndrimet e Prokurorisë, por ato janë komentuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Nëse kryeprokurori ka thirrur një konferencë për media për deklaratat e kryeministrit Kurti, kjo është për keqardhje. Ajo që ka thënë kryeministri mbrëmë është e saktë dhe e vërtetë. Si është e mundur që Qeveria e Kosovës ka dorëzuar mbi 200 dosje të korrupsionit, që i kemi gjetur në institucionet që i udhëheqim si Qeveri, dhe nuk është bërë asgjë në procesin e ndjekjes penale, madje shumë prej lëndëve janë mbyllur?”, ka deklaruar Haxhiu në konferencë për media.
