Botë
Rama, konferenca e fundvitit
30.12.2024 16:16
Në vitin 2027 Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s, një organizim që do të mbahet për herë të parë në Tiranë...

Në vitin 2027 Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s, një organizim që do të mbahet për herë të parë në Tiranë, duke shënuar ardhjen e liderëve botërorë në kryeqytet. Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u ndal tek ky samit, por edhe ai Komunitetit Politik Evropian që do mbahet më 16 maj 2025, arritje që sipas tij reflektojnë vlerësimin ndërkombëtar për Shqipërinë.
“Vitin e ardhshëm, më 16 maj do të mirëpresim Samitin e Komunitetit Politikan Evropian, do të kemi udhëheqësit e 700 milionë banorëve të Evropës, përtej kufirit të Bashkimit Evropian. Arsyeja pse Shqipëria e mori këtë mundësi është shumë e thjeshtë. Shqipëria sot është një vend ku të gjithë shohin me sytë e respektit, të gjithë kanë vlerësime që mua më bëjnë krenar, por është frymëzimi për të vazhduar më tutje.".
Po ashtu Rama tha se Samiti i NATO-s në Tiranë do të mbledhë të gjithë liderët që janë pjesë e kësaj aleance, përfshirë edhe presidentin e ShBA-së, Donald Tramp. Përgatitjet për këtë samit kanë nisur, duke përfshirë inspektimin e infrastrukturës dhe logjistikës në bashkëpunim me NATO-n.
"E pamendueshme është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s në vitin 2027, ne kemi filluar punën, së bashku me NATO-n për një inspektim të kushteve të infrastrukturës dhe logjistikës në Tiranë. Ardhja e presidentit të ShBA-së dhe udhëheqësve të NATO-s, është mesazh lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicion tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare. Ne jemi një vend i vogël. Kemi një peshë modeste, por sot trajtohemi si të barabartë dhe me një respekt që asnjëherë nuk e kemi pasur në historinë tonë. Kjo është panoramë e Shqipërisë në sytë e Evropës dhe botës, e cila nuk është një fasadë, por rezultat i jashtëzakonshëm, i një pune të jashtëzakonshme, në të gjitha drejtimet.”.
Në konferencë Rama u ndal edhe tek lufta e paepur e SPAK-ut kundër krimit dhe korrupsionit, mbylla e Tik-Tokut, si dhe programet e Qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe social.
LULJETA NDOKA
