Maqedoni
PThP: 8 të dyshuar për keqpërdorime në ZZhTI, Despotovski: Do ta dëshmoj pafajësinë
30.12.2024 16:57
Prokuroria Themelore Publike - Shkup, pas raportimit të Drejtorisë së Policisë Financiare...

Prokuroria Themelore Publike - Shkup, pas raportimit të Drejtorisë së Policisë Financiare, ka ngritur lëndë dhe ka iniciuar procedurë kundër 8 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale si bashkëkryerës – Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Lënda është ngritur për ish-drejtorin e Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale në Shkup, së bashku me 7 persona tjerë, nga të cilët 3 persona nga Byroja e Prokurimit Publik dhe 4 persona nga Komisioni Shtetëror për Ankesa tek Prokurimet Publike.
Ata dyshohen se një kompanie private i kanë mundësuar që në mënyrë të jashtëligjshme të përfitojë pasuri prej mbi 10 milionë eurosh. Kjo kompani private kishte marrë tender për ndërtimin e infrastrukturës në Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale Shtip dhe Strumicë.
“I dyshuari i parë me vendim të miratuar paraprakisht ka shpallur thirrje për prokurim publik për ndërtimin e infrastrukturës bazë të brendshme për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale - Shtip dhe Strumicë. Shpalljes së publikuar në afatin e paraparë ligjor i janë përgjigjur dy operatorëve ekonomikë të interesuar, të cilët kanë dorëzuar ofertat me kriteret e përcaktuara. Një nga kompanitë ofroi çmim më të lartë, por një kohë drastike më të shkurtër për kryerjen e punëve, në bazë të të cilit u zgjodh si kontraktor. Dy muaj pas fillimit të punimeve, drejtori ka nënshkruar aneks marrëveshje me të cilën është rritur vlera e kontratës bazë për mbi 84 milionë denarë dhe pas tre muajsh ka nënshkruar aneks-marrëveshjen e dytë me të cilën e ka rritur vlerën e kontratës bazë për afro 34 milion denarë shtesë dhe edhe një herë e ka vazhduar afatin për kryerjen e punëve. Kur kompania nuk ka respektuar afatin e dhënë prej 120 ditësh kalendarike për ekzekutimin, që ishte kushti më i rëndësishëm për arritjen e marrëveshjes, drejtori i dyshuar nuk ka ndërmarrë veprime zyrtare në drejtim të zgjidhjes së Marrëveshjes së Prokurimit Publik, duke aktivizuar garancitë bankare të dhëna dhe vjelja e një gjobe kontraktuale nëpërmjet gjobave për kryerjen e vonuar.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike.
Despotovski për servisin publik ka theksuar se i respekton vendimet e institucioneve dhe ka besim në sistemin dhe gjatë procedurës do ta tregojë pafajësinë e tij.
“Gjatë gjithë punës sime, jo vetëm si drejtor Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, në vazhdimësi kemi pasur kontrollime, qoftë ajo nga Qeveria, Revizioni Shtetëror apo shtëpi ndërkombëtare të revizionit, sepse kemi shfrytëzuar mjete nga Banka Botërore. Dhe unë them se të gjitha këto vërtetime duhet të merren parasysh, sepse në të gjitha këto kontrollime nuk kemi pasur asnjë vërejtje për punën tonë.”, - deklaroi ish-drejtori i ZZhTI – Shkup, Jovan Despotovski.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup propozon ngrirjen e hipotekës së patundshmërive në Karposh dhe Kisella Vodë, ndalim të disponimit të mjeteve nga katër llogaritë transaksionale, tre të personit fizik dhe një të personit juridik, si dhe ndalimin e disponimit me listën e pasurisë së luajtshme në pronë të personit juridik dy vetura pasagjerësh, tetë automjete mallrash, makineri dhe pajisje ndërtimi. Përveç kësaj, me propozim të prokurorit publik, Despotovskit i është konfiskuar pasaporta.
FITIM KRYEZIU
