Maqedoni
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari asgjëson 620 kilogramë ushqim të pasigurt
30.12.2024 17:22
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari asgjësoi rreth 620 kilogramë ushqim të pasigur...

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari asgjësoi rreth 620 kilogramë ushqim të pasigurt me origjinë shtazore, gjatë 191 kontrolleve të jashtëzakonshme të realizuara në dy javët e fundit në mishtore, thertore dhe dyqane tjera të specializuara për ushqim.
Po ashtu janë sjellë 29 vendime për mosrespektim të rregullave, shqiptim i vërejtjeve për tre operatorë të ushqimit, ndërsa 14 të tjerë janë dënuar me gjobë, thuhet në njoftimin e AUV-së të cilët janë duke kryer kontrolle gjatë tërë kohës në terren, ndërsa apelojnë tek qytetarët të kenë kujdes gjatë blerjes dhe konsumimit të ushqimit.
“Kontrollet e jashtëzakonshme dhe të përforcuara inspektuese para së gjithash kanë të bëjnë me sigurinë e ushqimit. Kjo do të thotë se duhet të ketë kujdes me afatin e prodhimeve, si dhe praktika e mirë e mirëmbajtjes. Kemi zbuluar edhe një numër të madh të operatorëve, të cilët nuk janë të regjistruar si ushqimore, restorante të caktuara, kafiteri, ëmbëltore, byrektore, si dhe vende ku shiten sandviçë. Në periudhën gjatë muajit të fundit, kujdes të veçantë kishim edhe në kuzhinat e shtëpive të pensionistëve, shkollave fillore, kopshteve etj.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Millanov.
Ekspertët: Kujdes si përgatisni dhe ruani ushqimin
Gjatë kontrolleve u zbuluan ushqime pa tiketë të ngrira, kishte mosrespektim të kërkesave higjienike, deklarim jo të plotë të produkteve, si dhe shitje të produkteve të pamiratuara. Qytetarët duhet të kenë kujdes se si e përgatisin dhe ruajnë ushqimin, apelojnë ekspertët për sigurinë e ushqimit.
“Në mënyrë që të kemi festa të lumtura duhet të kemi kujdes se çka konsumojmë, t’i ikim konsumimit të ushqimit joadekuat ose jo të përshtatshëm dhe nga ana tjetër mos ta teprojmë me ushqimin. Më e rëndësishme në këtë periudhë, kur kemi ditë të zgjatura festive të respektohen rregullat e ruajtjes së ushqimit. Në fakt, kur është prodhuar, në të njëjtën mënyrë pas konsumimit, relativisht shpejt të vendoset në frigorifer në temperature prej 0-4 gradë Celsius, në mënyrë që të pengohet krijimi i mikroorganizmave, sepse ato janë shumë serioze kur shumohen, sa shpejt shumohen kur kanë kushte të volitshme.”, - theksoi eksperti për Siguri të Ushqimit, Vojisllav Dimitrovski.
Qytetarët: Çmimi i mishit të jetë më i lirë
Qytetarët të ndarë në mendime rreth asaj se sa kanë mundësi të ofrojnë mish në tryezën e tyre dhe kanë kujdes gjatë konsumimit.
“Aq sa mundemi, do të blejmë.”, - tha një qytetar.
“Janë të njëjta si vitet e kaluara.”, - tha një qytetar tjetër.
“A janë më të lira? Mendoj se nuk janë, për mishin jo!”, - u shpreh një qytetare.
“Po, të jenë më të lira.”, - u shpreh një qytetar.
“Duhej të jenë më të ulëta, por nuk janë.”, - tha një qytetare.
Çdo parregullsi të evidentuar në lidhje me ushqimin, qytetarët kanë mundësi ta paraqesin në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari prej ku thonë se është dyfishuar numri i parashtresave për ushqim të padeklaruar dhe atij me afat të skaduar.
LEUNORA KALIQI
