Botë

Lindja e Mesme, Viti i Ri 2025 e gjen rajonin në konflikt

31.12.2024 12:48

Festat e fundvitit nuk sollën paqe në Lindjen e Mesme...

Festat e fundvitit nuk sollën paqe në Lindjen e Mesme. Në Tel Aviv u aktivizuan sirenat për të paralajmëruar sulmin e radhës, ndërsa rebelët Huthi në Jemen.  Ushtria izraelite njoftoi se e rrëzoi një raketë të shkrepur nga Jemeni. Rebelët Huthi sulmuan aeroportin “Ben Gurion” afër Tel Avivit dhe një stacion të energjisë elektrike në jug të Jerusalemit duke përdorur një raketë balistike hipersonike dhe një raketë balistike Zulfiqar.

 
Ndërkohë ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i ka paralajmëruar për “herë të fundit” rebelët Huthi që t’i ndalin sulmet raketore kundër Izraelit, duke thënë se ata rrezikojnë ta përjetojnë fatin e njëjtë “mizor” sikurse Hamasi, Hezbollahu dhe Bashar al-Assadi i Sirisë. Ambasadori Danon gjithashtu e paralajmëroi Iranin, i cili i mbështet Huthit, se Izraeli ka aftësi për ta goditur çdo shënjestër në Lindjen e Mesme, përfshirë në Iran.
 
Sulmet ndaj Izraelit nuk do të ndalen, tha Mohamed Ali al-Houthi, kreu i komitetit suprem revolucionar i Huthit, pasi ushtria izraelite njoftoi për sulmet raketore.
 
"Bombardimi i entitetit [Izraelit] po vazhdon, siç po vazhdon edhe mbështetja për Gazën", shkroi ai në platformën X.
 
Megjithëse me përfundimin e vitit nuk erdhi përfundimi i konflikteve qytetarët në Gazë shpresojnë për paqe në vitin  2025.
 
“Tani kur e kemi ndjerë vlerën e jetës në këtë luftë sinqerisht shpresojmë se viti 2025 do të sjellë fundin e këtij tmerri.”, - tha një qytetar i Gazës.
 
Ndërkohë OBSh-ja vazhdon të apelojë që të mos sulmohen spitalet në Gazë, ku po trajtohen shumë qytetarë të lënduar nga bombardimet. Ndërsa OKB-ja ka shprehur shqetësimin e zgjerimit të konfliktit.  
 
BELINDA KOKA ADEMI