Maqedoni

Pak orë deri në vitin 2025, qytetarët me dëshirë për jetë më të mirë

31.12.2024 14:07

Vetëm disa orë na ndajnë në ndërrimin e vitit, natë e cila nuk mbetet pa u shënuar edhe në vendin tonë....

Vetëm disa orë na ndajnë në ndërrimin e vitit, natë e cila nuk mbetet pa u shënuar edhe në vendin tonë. Rëndom qytetarët festojnë nëpër shtëpitë e tyre me familje dhe të afërm, pa munguar në tryezat e tyre edhe ushqimet e ndryshme. Qytetarët e anketuar nga ekipi ynë pohojnë atë të cilët gazetarët çdo ditë e shtjellojnë, se standardi është i ulët, inflacioni i mund të ardhurat dhe mbijetesa prek një pjesë të madhe të popullatës. Ata presin që viti 2025 të vijë i mbarë dhe të sjellë begati.
 
“Duam standarde më të mira, jetë më të mirë, prosperitet për rininë, të ketë vende punë sa më tepër për të rinjtë, që të mos na ikin jashtë.”, - tha një qytetar.
 
“Pa rroga, pa asgjë. Shpresojmë të bëhet mirë. Rrinë njerëzit. Duam të blejmë diçka, s’ka para. Popullata po vuan.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“2025-ta të vijë i mbarë dhe të bien pak çmimet se kështu janë katastrofë. Dikush ka rrogë më të madhe ka mundësi, dikush me një social 100 euro, nuk ka mundësi.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Shëndet vetëm dhe këto çmime të stabilizohen. Kjo është më e rëndësishmja. Të tjerat vijnë ngadalë.”, - u shpreh një qytetare.
 
Një pjesë tjetër e qytetarëve kishin zgjedhur që ndërrimin e motmotit ta presin nëpër restorante, e disa të tjerë ishin përcaktuar që në orët e mbrëmjes të shëtisin në qendër të qytetit të Shkupit, për të cilin do të ketë argëtime nën program muzikor. Në kryeqendër gëzimi më i madh vërehej në fytyrat e fëmijëve. Ata presin nga gjyshi dimër që t’u përgjigjet dëshirave të tyre dhe t’ua sjellë dhuratat në kohë sa më të shkurtër.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU