Maqedoni

Viti i Ri 2025, krerët shtetërorë dhe partiakë urojnë qytetarët

31.12.2024 14:24

Krerët shtetërorë kanë uruar qytetarët e RMV-së me rastin e Vitit të Ri 2025...

Krerët shtetërorë kanë uruar qytetarët e RMV-së me rastin e Vitit të Ri 2025, me dëshirë për stabilitet, sukses dhe ëndrra të realizuara. Kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, në urimin e saj ka theksuar se pavarësisht të gjitha disfatave dhe dështimeve në vitin e kaluar, ka arsye dhe motive të panumërta për të mos u dorëzuar dhe për të ecur përpara drejt gjërave më të mira - për veten, për fëmijët dhe për të mirën e përgjithshme.
 
“Njeriu i mençur tha se një degë është e lehtë për t'u thyer, por kur dhjetë degë bashkohen, është e pamundur. Duke jetuar në një botë me vlera të shtrembëruara, le të dërgojmë mesazhe se së bashku jemi më të fortë dhe më të lumtur. Le t'i japim dorën të pafuqishmëve, njerëzve që jetojnë në margjina, ata kanë nevojë për ne, por edhe ne kemi nevojë për ata. Le të ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë do të kenë një shans për një jetë të denjë dhe dinjitoze, të pambrojturit - mbështetje dhe të rinjtë - frymëzim, motivim dhe të ardhme.”, - deklaroi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Kryeministri, Hristijan Mickovski, tha se viti 2025 do të jetë vit i shpresës, optimizmit, sukseseve dhe punës. Në fjalimin e tij tha se viti i kaluar 2024 ishte vit i sfidave, por edhe i fillimeve të reja, ndërsa viti i ardhshëm 2025 “do të jetë vit i rritjes, rendit dhe integrimit, investimit në ekonomi, infrastrukturë dhe arsim me fokusin e një jete më të mirë për të gjithë.”.
 
“Viti 2025 do të jetë vit i shpresës, optimizmit, sukseseve dhe punës. Do të punojmë me përkushtim dhe mund që në vitin 2025 të arrijmë ta ndërtojmë Maqedoninë ashtu siç e doni ju të gjithë qytetarët dhe ashtu siç e meritojmë të gjithë ne së bashku. Maqedonia, e cila do të jetë përsëri e juaja. Viti i Ri i mbarë dhe i suksesshëm, i mbushur me shëndet, lumturi dhe shumë dashuri. Zoti e bekoftë Maqedoninë dhe qytetarët e saj.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mivckoski.
 
Kryeparlamentari, Afrim Gashi, në urimin e tij ka theksuar se edhe përskaj sfidave që janë kaluar, do të punohet për një shtet më të zhvilluar dhe më të drejtë. 
 
“Viti që vjen na ofron mundësinë që të punojmë për një shtet më të drejtë dhe më të zhvilluar, ku çdokush jeton me dinjitet dhe prosperitet. Angazhimi i secilit është kyç për të arritur aspiratat tona të përbashkëta. Prandaj, përtej çdo dallimi, le të punojmë bashkë për ta bërë realitet këtë shtet ideal me vlerat tona të përbashkëta.”, - u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Uratat nuk kanë munguar as nga liderët e partive politike. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në urimin e tij tha se ky vit është vit i shpresës, fillimeve të reja dhe kohë për të kujtuar gjithçka që ndodhi në vitin e kaluar.
 
“Viti 2024 ishte vit sfidash për LSDM-në, vit në të cilin mësuam shumë dhe vendosëm të kthenim një fletë të re. Me të gjitha vështirësitë, ne u forcuam dhe hapëm rrugën drejt një të ardhmeje të mbushur me përkushtim dhe punë për të gjithë ju.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë uruar Vitin e Ri 2025, duke përmendur ngjarjet politike të vitit 2024. Integristët thonë se mbeten të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, për të avancuar demokracinë multietnike dhe për të punuar pa u lodhur që çdo fëmijë në Maqedoninë e Veriut të rritet në një shoqëri ku ëndrrat e tij nuk kufizohen nga përkatësia etnike.
 
"Asnjë sulm ndaj identitetit, gjuhës apo të drejtave tona nuk mund ta zbehë shpirtin e popullit shqiptar. Këto pengesa vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë për të luftuar për barazi, drejtësi dhe përparim. Ne jemi ruajtësit e trashëgimisë sonë dhe arkitektët e së ardhmes sonë. Teksa i themi lamtumirë këtij viti të trazuar, shohim përpara drejt vitit 2025 me vendosmëri të re.", thuhet në urimin e Bashkimit Demokratik për Integrim.
 
FLORIJE KAMBERI