Maqedoni

31 dhjetori, afati i fundit për vlefshmërinë e lejeve për vozitje

31.12.2024 15:15

31 dhjetori shënon afatin e fundit për vlefshmërinë e lejeve të vozitjes të lëshuara me emrin e vjetër kushtetues....

31 dhjetori shënon afatin e fundit për vlefshmërinë e lejeve të vozitjes të lëshuara me emrin e vjetër kushtetues. Pas fillimit të Vitit të Ri, këto dokumente nuk do të jenë më të vlefshme, pavarësisht afatit të tyre të përdorimit. Qytetarët e anketuar theksojnë se e kanë përmbushur këtë obligim në kohë.
 
“Po, unë e kam ndërruar me kohë.”, - tha një qytetar.
 
“Po, ka një vit që e kam ndërruar.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Po, e kam ndërruar para kohe, e kam ndërruar unë.”, - u shpreh një qytetar. 
 
“Momentalisht nuk kam leje për vozitje, bashkëshortja ka, por se di nëse e ka ndërruar.”, - u shpreh një qytetar tjetër. 
 
Para punktit në stacionin policor “Proleçe,” ku qytetarët fotografohen për lejet e vozitjes, nuk ka njerëz pasi që në ditën e fundit të vitit nuk ka termine të caktuara për dhënien e lejeve të vozitjes, sepse shumica e qytetarëve tashmë i kanë ndërruar dokumentet e tyre personale. Sipas të dhënave nga MPB-ja, mbeten rreth 150 mijë leje vozitjeje që duhet të zëvendësohen me ato të reja.
 
“Numri i lejeve për vozitje me emrin e ri kushtetues është mbi 800 mijë. Ministria e Punëve të Brendshme rikujton qytetarët se vlefshmëria e lejeve për vozitje me emrin e vjetër kushtetues në përputhje me ndryshimin e ligjit për siguri në komunikacion është deri më datë 30 dhjetor.”, - theksoi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
 
Afati për ndërrimin e lejeve të vozitjes me emrin e ri kushtetues, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, tashmë ishte zgjatur një herë në shkurt dhe përfundon më 31 dhjetor.
 
LEUNORA KALIQI