Maqedoni
Rama: Rotacioni politik karakterizoi vitin 2024
31.12.2024 15:32
RMV-ja ka përmbyllur vitin kalendarik 2024 me zhvillimet më të shumta në rrafshin politik...

RMV-ja ka përmbyllur vitin kalendarik 2024 me zhvillimet më të shumta në rrafshin politik, duke qenë në theks të veçantë mbajtja e zgjedhjeve Parlamentare, rotacioni politik, i cili ndodhi në të dy blloqet politike, dhe krijimi i Qeverisë, kanë qenë ndër çështjet më të rëndësishme në rrafshin politik. Sipas profesorit universitar, Ariton Rama, barra kryesore kësaj Qeverie mbetet kursi euroatlantik dhe ndryshimet kushtetuese.
“Ka qenë një dinamik politike, ka qenë një vit i cili ka gërshetuar disa papritshmëri politike, e para fillimisht u krijuan dy formacione të reja politike tek blloku shqiptar. Kemi njëlloj pajtueshmërie disa frontmenëve politikë ndoshta me ideologji të kundërta. Elementi tjetër është se tek pala maqedonase kemi një dominancë tjetër politike, një lloj degradencë në rrënjët partisë së tanishme opozitare LSDM dhe një forcë tjetër e VMRO-DPMNE-së, e cila kishte gërshetuar ndër vite një politikë më ndryshe. Nga ana tjetër reflektohet se rotacioni politik qeveritar tanimë ka ndodhur dhe është një realitet i ri. Kjo sigurisht që ka ndikuar edhe në aspektin rajonal dhe ndërkombëtar, ka ndryshuar edhe botëkuptimet e tyre në raport me fqinjët dhe me arenën ndërkombëtare ose me politikat ndërkombëtare.”, - deklaroi profesori universitar, Ariton Rama.
Sipas Ramës, 6 muaj qeverisje nuk është periudhë e gjatë, por fillimet e para kanë treguar se kjo Qeveri po tregon potencial për ta ndryshuar metodologjinë e funksionimit të qeverisjes nga e kaluara.
“Kemi 6 muaj qeverisje, mendoj se ka një lloj potenciali që mund të ketë referime të tilla ndryshuese dhe është në një sfidë të madhe, sepse kemi disa procese të padefinuara edhe ndërkombëtare, edhe të brendshme politike, por njëkohësisht edhe sfidat e brendshme siç janë ndryshimet kushtetuese, por mendoj se ka filluar një jetë e re politike e vrazhdë.”, - theksoi profesori universitar, Ariton Rama.
Rama pret që në vitin 2025, po ashtu RMV-ja e presin disa sfida shumë serioze, e të cilat janë sinkron me njëra-tjetrën, duke u fokusuar në zgjedhjet lokale, procesi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, si dhe plotësimi i premtimeve prej 10 mijë punësimesh.
“Mendoj se Qeveria në vitin 2025 duhet të jetë shumë serioze dhe strikte mbi bazën e sfidave që e presin, e të cilat janë sinkron njëra me tjetrën.”, - u shpreh profesori universitar, Ariton Rama.
Edhe sipas Qeverisë, por edhe njohësit e mirë të çështjeve politike, viti 2025 do të jetë vit i ndryshimeve të shumta në të gjitha aspektet, sepse sipas analistëve, VMRO-DPMNE-ja dëshiron të tregojë moskopjimin e politikave të Qeverisjes së kaluar dhe shfaqja e një superioriteti i partive në pushtet ndaj atyre në opozitë.
FITIM KRYEZIU
