Botë

Tri ditë zie në Mal të Zi, një person vrau 12 persona, plagosi disa të tjerë

02.01.2025 14:04

Mali i Zi shpall tri ditë zie pas vrasjes masive në Cetinje. Sulmuesi 45-vjeçar, Aco Martinoviq...

Mali i Zi shpall tri ditë zie pas vrasjes masive në Cetinje. Sulmuesi 45-vjeçar, Aco Martinoviq, i cili vrau 12 persona dhe plagosi katër, ka vdekur, njoftuan autoritetet. Ai ka tentuar të vrasë veten pasi është rrethuar nga policia, ndërsa ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
 
“Kur e kuptoi se nuk kishte rrugëdalje, tentoi të vriste veten. Ai nuk ka ndërruar jetë menjëherë, por gjatë transportit për në spital. Tani më lejoni të përcjell mesazhin e paqes, i cili është më i rëndësishmi për banorët e Cetinjës, në mënyrë që ata t'i kthehen jetës së tyre normale.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danilo Saranoviq.  
 
Vrasjeve u parapriu një debat në një lokal, pas së cilës Martinoviqi u largua dhe u kthye me armë, duke vrarë pronarin e lokalit dhe fëmijët e tij, si dhe anëtarët e familjes së tij. Familjarët e tij, të shokuar nga ngjarja. 
 
“Mes të vrarëve është edhe djali i tezes sime, fëmijët e vrarë janë fëmijët e kushëririt tim, të gjithë jemi të shokuar nga kjo ngjarje.”, - tha një familjare. 
 
Sipas zyrtarëve, Martinoviqi ka kryer vrasjet në katër lokacione. Kryeministri i Malit të Zi gjatë vizitës së të plagosurve në Qendrën Klinike ka bërë të ditur se do të mendohet për ndalimin e plotë të armëmbajtjes.
 
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme që na ka prekur të gjithëve në Cetinje, pra në fshatin Bajice afër Cetinjës. Kemi katër persona të lënduar rëndë që ndodhen në Qendrën Klinike. Mjekët po luftojnë për jetën e tyre.”, - theksoi kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq.  
 
Nga spitali konfirmohet se të gjithë të lënduarit janë në gjendje të rëndë, tre prej tyre janë stabil, ndërsa pacienti i katërt, i cili ka pësuar lëndime të shumta është në gjendje më të rëndë.
 
“Në qendrën klinike të Malit të Zi janë operuar tre pacientë, dy burra dhe një grua, të gjithë të lënduar në sulmin në Cetinje. Ata janë të gjithë në repartin e terapisë intensive dhe më duhet të them se të gjithë kanë lëndime kërcënuese për jetën. Tani për tani po monitorojmë gjendjen e tyre.”, - u shpreh mjeku në Repartin Intensiv, Aleksandar Radoviq. 
 
Martinoviqi tashmë është i njohur për policinë malazeze kur gjatë një kontrolli në vitin 2022 iu gjet një pushkë ajrore dhe eksploziv. Kjo është vrasja e dytë masive në Cetinje në dy vitet e fundit. Në vitin 2022, dhjetë njerëz u vranë dhe gjashtë u plagosën kur një person i armatosur me armë gjahu hapi zjarr ndaj fqinjëve, oficerëve të policisë dhe kalimtarëve përpara se të vritej nga policia. 
 
FLUTURA LATIFI