Maqedoni
Gripi sezonal merr hov, mbi 220 raste për një javë
02.01.2025 14:30
Në javën e fundit të vitit që lamë pas janë paraqitur mbi 220 raste me grip, 60 për qind më shumë në krahasim me periudhën e kaluar....

Në javën e fundit të vitit që lamë pas janë paraqitur mbi 220 raste me grip, 60 për qind më shumë në krahasim me periudhën e kaluar. Sipas mjekëve, përhapja e gripit ka ndodhur shkaku i festave para vitit të ri, blerja nëpër tregje, nëpër qendrat tregtare, ndërsa tani ambulancat tek mjekët amë janë mbushur me pacientë. Pacientët kanë simptome të ndryshme si rritja e temperaturës, dhimbje në trup, molisje, kollitje.
“Kishte mjaft pacientë edhe para Vitit të Ri, por mendoj që në këtë periudhë tubimet që ishin jo vetëm nëpër kafenetë, por edhe në kushtet shtëpiake një të jetë i sëmurë thuajse të gjithë do të sëmuren dhe mendoj që rrëmujat e tilla e kanë rritur numrin e pacientëve të sëmurë. Pacientët ankohen me molisje, temperatura të larta, dhimbje në trup, kollitje të thatë dhe mendoj që edhe në periudhën në vijim do të vazhdojë me prezencën e viruseve.”, - deklaroi mjeku, Gjorgji Vanovski.
Instituti i Shëndetit Publik për një javë ka regjistruar mbi 200 pacientë me simptome të gripit. Incidenca më e lartë është vërejtur tek fëmijët deri në moshën katër vjeçare. Mjekët thonë që rritja e numrit të të sëmurëve pritet pas përfundimit të pushimit dimëror kur do të kthehen fëmijët në bankat shkollore. Deri më tani nga fillimi i sezonit të gripit janë prekur rreth 1 mijë qytetarë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
