Maqedoni

Reformat në gjyqësor, Mickoski: Këshilli Gjyqësor s'ka kredibilitet

02.01.2025 14:47

Kryeministri, Hristijan Mickoski, mbetet në qëndrimin për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të zgjedhur nga Kuvendi....

Kryeministri, Hristijan Mickoski, mbetet në qëndrimin për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të zgjedhur nga Kuvendi. Në një intervistë për MIA-n, ai vlerëson se besimi i ulët i qytetarëve duhet të jetë një nxitje për anëtarët që të largohen me vetiniciativë nga postet e tyre, ndërsa anëtarët e rinj duhet të kenë agjendë dhe synim impozant para vetes, për të mos vazhduar me zakonet e vjetra.
 
“Një është e qartë, Këshilli Gjyqësor, kështu siç është, nuk ka legjitimitet tek qytetarët. Ai ndoshta ka ligjshmëri, por jo legjitimitet, pasi që kredibiliteti iu është shkatërruar, besimi është në numër njëshifrorë, pra besimi është në nivel më të ulët historikisht dhe ajo që është me rëndësi është se nëse nuk ka ndërgjegjësim tek ata që vetë të largohen, atëherë duhet patjetër që ne të ndërmarrim disa hapa që ata të mund të largohen, por kjo nuk nënkupton se disa njerëz që e kanë sjellë situatën në këtë gjendje t’i zëvendësojmë me të tjerë që atë situatë do ta vazhdojnë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Xhelili: Kuadrot partiake larg Këshillit Gjyqësor
 
Eksperti juridik, Fadil Xhelili, vlerëson se gjatë realizimit të reformave të paralajmëruara duhet të veprohet me kujdes në zgjedhjen e kuadrove të reja. Ato, sipas Xhelilit, nuk guxojnë të zëvendësohen me kuadro partiake, por profesionist të dëshmuar.
 
“Se si do të zhvillohet kjo reformë do të shikojmë në ditët në vijim, por ajo që duhet të potencohet dhe që është më se e domosdoshme është që reformat të jetë mirë e analizuar dhe të gjithë ato kuadro që do të zgjidhen duhet të jenë apolitik, të mos jenë kuadro partiake, por duhet hapur rrugë dhe përzgjedhur kuadro kryekëput profesionist të dëshmuar në fushën e drejtësisë, njerëz me autoritet dhe dinjitet. Vetëm atëherë do të mund që qytetarët të shpresojnë në sistemin e gjyqësisë dhe mund të lëvizim në reformat e mirëfillta edhe drejt rrugës së integrimit evropian. Nëse e gjithë kjo bëhet në mënyrë të përshpejtuar dhe sidomos pa përkrahjen e miqve tanë, aleatëve tanë strategjikë, siç janë ShBA-ja dhe BE-ja, atëherë kjo do të jetë një shkas plus që opozita të akuzojë.”, - theksoi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
 
Gjatë fundvitit Kuvendi miratoi raport negativ për funksionimin e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023, që sipas interpretimeve të caktuara mund të jetë bazë për shkarkimin e anëtarëve që janë zgjedhur nga deputetët. Këta janë anëtarët e përcaktuar me termin “jurist të shquar” në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Aktualisht në Këshillin si "jurist të shquar" janë: Vesna Dameva, e cila së fundmi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares, Pavlina Cërvenkovski, Selim Ademi, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova Ilievska. Gjyqësori për një kohë të gjatë është në tapet të kritikave, për shkak të besimit shumë të ulët të qytetarëve në këto institucione, ndërsa nuk kanë munguar edhe reagimet dhe kritikat e ndërkombëtarëve. E fundit rezultoi me futjen e gjykatësit të Apelit, Enver Bexheti, në Listë të Zezë të ShBA-së. Së fundmi me zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor dhe një anëtari të Këshillit të Prokurorëve, LSDM-ja opozitare kishte reagime të ashpra në opinion, pasi sipas tyre se anëtarja e re e Këshillit Gjyqësor, Danka Ristova, është bashkëshorte e një kryetari komune nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
 
FLORIJE KAMBERI