Shëndetësi, specializantët shëndetësorë presin konkurset

02.01.2025 15:10

Deri më 31 mars të këtij viti duhet të zgjidhet problemi....

Deri më 31 mars të këtij viti duhet të zgjidhet problemi me punonjësit shëndetësor, të cilët janë vetëm me kontratë në vepër. Ndërsa, sa i përket specializantëve privatë, këtë muaj do të hapet konkursi për punësimin e 300 punëtorëve specializantë. Prioritet, siç njoftojnë mjekët specialistë, do të kenë ata që janë me përvojë më të madhe. 

“Ministria e Shëndetësisë fillimisht duhej që grupin e parë prej 300 specializantëve të moshës më të lartë, pra të vitit 4, 5 dhe 6 ta punësojë deri më 31 dhjetor, por për shkak të disa ngecjeve administrative, kësaj radhe, ministri premtoi se konkurset do të shpallen gjatë muajit të parë të këtij viti. Atë që e dimë sigurt, të gjithë drejtorët e të gjitha klinikave, spitaleve, shtëpitë e shëndetit kanë parashtruar kërkesë deri te Ministria e Shëndetësisë me numër të të punësuarve, kështu që në secilën klinikë dhe shtëpi të shëndetit dihet numri i specializantëve që duhet të pranohen. Kërkesat akoma janë në Ministrinë e Shëndetësisë, duhet të dërgohen të firmosura nga ana e fondit për sigurim shëndetësor dhe në fund nga Ministria e Financave.”, - deklaroi përfaqësuesja e specializantëve privatë, Aleksandra Georgievska.

Megjithatë te një pjesë  e specializantëve ka ankesa në lidhje me pozicionimin e tyre.

“Një pjesë  e kolegëve  kanë pasur reagim se përse dikush do të jetë i punësuar në shëndetësinë terciare në Shkup, ndërsa dikush në qytetet dhe spitalet më të vogla. Ne si shoqatë i kuptojmë ndjenjat personale dhe dëshirën për përparim të secilit, megjithatë ajo që është realitet, objektiv është se edhe personat që jetojnë në qytetet tjera, përveç Shkupit, meritojnë të kenë shëndetësi më të mirë.”, - theksoi përfaqësuesja e specializantëve privatë, Aleksandra Georgievska.

Përndryshe, në shëndetësinë publike ka nevojë për kuadro të specialistëve. Në këtë drejtim edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka paralajmëruar se do të bëhet një plan ku do të shqyrtohen se cilat reparte kanë më tepër mungesa të kuadrit shëndetësor, pasi në disa reparte ka mjaftueshëm specialistë, ndërsa te disa të tjerë ka mungesa. (Belinda Koka Ademi, TVM2)